Pjerrina në hyrje të objektit të Komunës së Mitrovicës së Jugut

Mungesa e infrastrukturës nuk i ndali që të kryejnë punët e tyre pavarësisht aftësive të kufizuara

Pavarësisht nga aftësitë e tyre fizike të gjithë njerëzit kanë të drejtën të marrin pjesë në jetën publike dhe private. Qasja e barabartë siguron që personat me aftësi të kufizuara të mund të përdorin të njëjtat shërbime dhe të kenë mundësi të barabarta me të tjerët.

Edhe institucionet duhet të ofrojnë punësim për këtë kategori të personave të cilët pa asnjë problem mund t’i kryejnë detyrat e tyre.

Punëtori në Qendrën për punë sociale të Zubin Potokut, Sabedin Uka është i vetmi zyrtar me aftësi të kufizuara që punon në këtë institucion. Këmba e tij e majtë mbahet me “protezë” dhe si pasojë e kësaj ai tregon se has disa sfida.

“Jam zyrtar i asistencës sociale, punoj qe 25 vite, që prej pas luftës. Unë gjatë kohës së luftës e kam humb një këmbë, në tregun e Mitrovicës, tash e kam këmbën me protezë. Kemi vështirësi p.sh. gjatë ngjitjes së shkallëve, mungojnë pjerrinat, parkingjet nëpër qytet për neve si persona me aftësi të kufizuara. Shkallën e invaliditetit e kam 70%, kam probleme në të ecur. Problemin më të madh i kemi shkallët, ngjitjen, zbritjen. Këmbën e majtë e kam të dëmtuar nën gju”- tregon Uka.

Pranimi i personave me asistencë sociale, verifikimi i familejeve të tilla në terren nuk e lodh fare dhe e bën me shumë qejf këtë punë, sipas tij zyra e cila gjendet në katin e parë ia vështirëson paksa veprimtarinë.

“Zyrën e kam në katin e parë, kisha dashtë me pasë në përdhesë. Edhe pse kam mirëkuptim me drejtorin, gjithmonë është në përpjekje me ma siguru një zyre në katin përdhesë që mos me pasë shkallë dhe qasjen me e pasë më të lehtë. Tash për tash është e pamundur. Mirëkuptim kemi mirëpo mundësitë nuk egzistojnë”- rrëfen zyrtari Uka.

“Personat me aftësi të kufizuara janë shpresë e shoqërisë tonë”, ky është mesazhi që jep Sabedin Uka i cili thotë se kjo kategori e njerëzve nuk duhet të paragjykohen dhe mbi të gjitha duhet përkrahur.

 

Sabedin Uka, punëtor i Qendrës për Punë Sociale të Zubin Potokut
Sabedin Uka, punëtor i Qendrës për Punë Sociale të Zubin Potokut

Ushtruesi i detyrës i sektorit për punë të përbashkëta në Drejtorinë e Administatës, në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Faik Meholli nuk mund të mbajë peshë të rënda në duar e as ta kthej dorën në të gjitha pozicionet, megjithatë kjo nuk ia pengon fare procesin në punë.

“Punoj prej 2009-tës, kam punu edhe para lufte këtu deri në dëbimin e punëtorëve në vitin 1991. Motivin e kam të jashtëzakonshëm. Prej 20 vjet kur i kam pasë jam marrë me administratë, e dua administrën dhe nuk kam telashe. Unë trajtohem, e kam dorën e plagosur, kam pengesa në peshë, nuk mundem me çu peshë, nuk muj me kthy në të gjitha pozicionet krejt dorën. Këto janë punë administrative kështu që nuk kam kurrfarë pengese”.

Ndër të tjera Meholli është i kënaqur me punën e të ardhurat, me avancimin e tij në punë e me trajtimin e mirë që i kanë ofruar të tjerët.

Faik Meholli, Ushtruesi i detyrës i sektorit për punë të përbashkëta në Drejtorinë e Administatës, në Komunën e Mitrovicës së Jugut
Faik Meholli, Ushtruesi i detyrës i sektorit për punë të përbashkëta në Drejtorinë e Administatës, në Komunën e Mitrovicës së Jugut

Qëndrimin me orë të tëra në këmbë duke u ligjëruar nxënësve e ka të vështirë mësimdhënësi Xhafer Fejza për shkak të problemit që ka me këmbën e majtë. Ai ligjëron për ciklin e ulët në shkollën “Avni Shabani” në  fshatin Zabërgjë të Komunës së Mitrovicës.

“Jam i plagosur në luftë, kam telashe në këmbën e majtë. Me ec shumë nuk mundem. Normal me nejt pak shumë në këmbë më sjell pak telashe. Ju e dini se si zhvillohet procesi mësimor, që duhet me qenë pranë nxënësve çdo herë. Punoj qe 32 vite si mësimdhënës”- tregon Fejza.

“Prej qefit kërkujt nuk i ka ndodhë ajo dhe për atë duhet me e pasë një trajtim pak më të veçantë e me pasë më shumë konsideratë për këtë kategori, pa marrë parasysh në cilin institucion”- përfundoi 55 vjeçari.

Xhafer Fejza, mësimdhënës në shkollën “Avni Shabani” në fshatin Zabërxhë të Komunës së Mitrovicës.
Xhafer Fejza, mësimdhënës në shkollën “Avni Shabani” në fshatin Zabërxhë të Komunës së Mitrovicës.

 

Katër zyrtarë me aftësi të kufizuara të punësuar në Drejtorinë e Administatës në Komunën e Mitrovivcës së Jugut, ashensori dhe rregullimi i tualeteve të domosdoshme në këtë komunë

Komuna e Mitrovicës së Jugut ka të punësuar në administratën komunale katër zyrtarë të cilët i përkasin kategorisë së personave me aftësi të kufizuara.

Sipas Drejtorit të Administatës në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Gëzim Stavileci, këta zyrtarë nuk hasin probleme gjatë veprimtarisë së tyre dhe e bëjnë punën shumë mirë.

“A.H punon në inspektorat, E.B shef në mjedis, F.M ushtrues detyre i logjistikës, N.S, arkatar. Nuk besoj se kanë vështirësi, nëse kishin pasë i kishim trajtu në kuadër të ligjit, për me i akomodu në punë të tjera. Sa e kam pa ata janë të akomoduar në pozitat e tyre pa problem dhe e bëjnë punën, nuk ka neglizhecë të punës. Nuk kam pasë kërkësë ose ankesë nga zyrtarët me aftësi të kufizuara për ndryshim pozicioni ose për ndonjë ankesë të vrullit të punës”- ka thënë Stavileci.

Sipas drejtorit Komuna e Mitrovicës së Jugut ofron kushte të kënaqshme për zyrtarët gjithashtu edhe për qytetarët me aftësi të kufizuara, megjithëse ashensori dhe rregullimi i tualeteve do ta bënin diferencën.

“Kemi vendosur pjerrina, kemi nda shallterin, e kemi bo tavolina pune ku persona me aftësi të kufizume mund t’iu qasen zyrtarit në shërbim, po ashtu edhe nëse zyrtari është person me aftësi të kufizume mundet me u qasë në shërbim me qytetarin. Komunës së Mitrovicës i mungon vetëm një lift edhe një tualet i cili është i qasshëm për persona me aftësi të kufizume”- potencoi Stavileci.

Ai shpreson se këto dy pengesa të rregullohen deri vitin e ardhshëm.

“Liftin kemi bo kërkesë, e kemi planifiku për buxhetin komunal 2024. Jemi në hartim të projektit. Po besojmë që deri në muajin tetor vendoset lifti në komunën e Mitrovicës. Sa i përket tualetit, tualetet janë të renovume në vitin 2018, nuk kemi bo inervenime në tualtete, për shkak se kanë qenë të renovume në vitin 2018, nuk e kanë pasë atë mundësinë e tualitetit të personave me aftësi të kufiziume po besojna që kemi me e improvizu vitin e ardhshëm një tualet për persona me aftësi të kufizuara”- përfundoi ai.

Mesazhi i drejtorit është trajtimi i objekteve ndaj institucioneve publike për persona me aftësi të kufizuara jo vetëm objeketeve por edhe infrastrukturës rrugore në qytet.

Pjerrina në hyrje të objektit të Komunës së Mitrovicës së Jugut