Mësuesit, shtytje për vazhdimin e mësimit online

Edukatorët në Kosovë kanë punuar në vazhdimësi për të zhvilluar një program mësimi në distancë për nxënësit e tyre. Debati mbi programin televiziv BIRN ‘Jeta në Kosovë’ të enjten kishte ftuar prindërit, mësuesit dhe zyrtarët e arsimit për të biseduar në lidhje me sfidat e zhvillimit të një programi mësimor në mbarë vendin në vetëm disa javë kohë.

 

Përderisa shkollat në Kosovë janë mbyllur për nxënës për më shumë se tre javë si masë mbrojtëse ndaj tyre nga përhapja e koronavirusit, kjo nuk do të thotë se këto shkolla po rrinë kot dhe duarbosh.

Që kur ka filluar bllokada e autorizuar nga qeveria e Kosovës, sallat e shkollave janë mbushur me mësues, redaktorë, operatorë kamerash dhe ekspertë të arsimit, duke përdorur klasa, biblioteka dhe kantina si qendra të  tyre për të zhvilluar programin e ri të mësimit elektronik në Kosovë.

Teksa rri ulur në bibliotekën e shkollës Qamil Batalli në Prishtinë, Zëvendës Ministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj,  thotë për BIRN se ti ndihmosh fëmijët të vazhdojnë arsimin e tyre përmes mësimit online dhe televizionit në distancë ka qenë një sfidë. Megjithatë, me ndihmën e arsimtarëve dhe vullnetarëve nga shoqëria civile dhe media, thotë ai, ata kanë filluar me eleminimin e ca problemeve të vogla.

“Gjërat po shkojnë mirë me mësimet. Ne po mundohemi ta përmirësojmë cilësinë çdo ditë, por të mos harrojmë – qëllimi kryesor i projektit tonë të mësimit online është mbrojtja e shëndetit të të gjithëve. Ky është prioriteti ynë numër një, ” thotë Rexhaj për BIRN.

Që nga mesi i marsit, Ministria e Arsimit ka bërë më shumë se 500 mësime në dispozicion të studentëve në Kosovë përmes platformës online të Ministrisë për mësimin elektronik, si dhe përmes platformës Kallxo.com dhe televizionit publik nga BIRN Kosova. Afro 300 prej këtyre mësimeve janë xhiruar me mësuesit shqiptarë në Prishtinë, dhe 200 sosh me mësues turq dhe boshnjakë që janë duke xhiruar mësimet nga Prizreni, ku jetojnë shumica e anëtarëve të këtyre komuniteteve.

“Ne nuk ishim të përgatitur për mësimin nga distanca,” thotë ministrja e arsimit Hykmete Bajrami. “Kjo është më e mira që ne kemi arritur të bëjmë në një periudhë kaq të shkurtër kohore dhe me mbështetjen e shumë vullnetarëve. Të gjithë ata që janë të përfshirë meritojnë falënderimet tona më të sinqerta. “

Ndërkohë që shumë janë duke i duartrokitur përpjekjeve të ministrisë, departamenteve komunale të arsimit dhe stafit të shkollës për xhirim të mësimeve dhe për angazhim me studentët ndërkohë që Kosova është nën masa të bllokadës, janë ngritur disa shqetësime në lidhje qëndrueshmërinë e planit të ministrisë në periudhë afatgjate.

BIRN i ka bërë ftesë prindërve, mësuesve dhe zyrtarëve të arsimit që ditën e enjte të jenë pjesëmarrës në debatin televiziv “Jeta ne Kosove” për të diskutuar mbi sfidat e zhvillimit të një programi mësimor në të gjithë vendin, brenda disa javësh, dhe një mori problemesh teknike dhe politike që shfaqen bashkë me përpjekjet për të siguruar arsimim për të gjithë në një shtet shumëgjuhësh.

Zhvillimi i mësimit në distancë në “fazat e hershme”

Sipas Ministres Bajrami, departamentet komunale të arsimit të Kosovës kanë lëshuar udhëzime për të ndihmuar mësuesit që përpiqen të përshtaten me sistemin e ri online (internet).

“Mësuesit kanë marrë udhëzime për të vazhduar kontrollimin e detyrave të shtëpisë dhe t’u japin nxënësve detyra shtesë, duke përdorur aplikacionet Viber, Zoom, WhatsApp, Google Class për ta bërë këtë,” shpjegon ajo. “Nuk janë vendosur kufizime se cilat metoda duhet të përdorin, gjithçka që duam është që ata të qëndrojnë në kontakt të ngushtë me fëmijët.”

Hykmete Bajrami, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit

Sipas ministres Bajrami, në mënyrë që mësuesit të vazhdojnë të përmbushin kërkesat e tyre për studentët, ministria ka krijuar mekanizma raportimi përmes drejtorëve të shkollave dhe departamenteve komunale të arsimit. Auditorët gjithashtu po i shqyrtojnë dhe, në mënyrë të vazhdueshme, po nxjerrin rekomandime për të përmirësuar kurrikulën online  që është aktualisht në zhvillim e sipër.

Xhenana Drini, pjestare e komunitetit boshnjak nga Prizreni është një nga mësueset që filloi të xhirojë mësime për fëmijët me qasje nga shtëpia pas pranimit të një kërkese nga komuna lokale.

“Në fillim dicka e tillë ishte e pazakontë, ishte një sfidë, por ishte diçka që doja ta provoja,” tha Xhenana, duke sqaruar se ndërkohë që ajo i inkurajonte kolegët e saj që ta bëjnë të njëjtën gjë, shumë prej tyre ishin hezitues. “Në fillim, ata nuk dëgjonin, ata nuk donin të dilnin nga shtëpia për shkak të virusit, apo se kishin frikë të shfaqeshin para kamerës.”

Kushtrim Demiri, prind i një nxënësi të klasës së tretë në shkollën Faik Konica si dhe anëtar i bordit të drejtorëve të saj, tha se vazhdimi i kurrikulës së vitit po shkon më mirë sesa pritej.

“Ne kemi pranuar se ka gabime dhe përmirësime që duhen bërë, por të gjithë janë duke kontribuar, ne jemi duke marrë parasysh vërejtjet nga prindërit,” tha Demiri. “Falë ministrisë, nivelet tona të pjesëmarrjes kanë arritur në 99 përqind.”

Faik Ispahiu, drejtor dhe producent që është paraqitur vullnetar për të xhiruar  këto mësime së bashku me një ekip prej 15 personash nga platforma digjitale antikorrupsion e BIRN, Kallxo.com, tha se ishte e qartë që shoqëria civile duhej të mobilizohej dhe të ofronte shërbimet e saj falas, pasi Ministria e Arsimit e Kosovës nuk do të kishte aftësinë të përfundojë kurrikulën e mësimit elektronik si e vetme në një kohë kaq të shkurtër.

“Ne po regjistronim 16-orë në ditë për dy javë rresht, përfshirë fundjavat, për të siguruar që të kemi mësime të mjaftueshme të gjiruara për të filluar transmetimin, në mënyrë që fëmijët të humbasin sa më pak shkollë dhe të kenë diçka për të bërë,” tha Ispahiu për BIRN. Tani, orët e punës po bëhen më të rregullta. Ne kemi krijuar një sistem efektiv të përgatitjes, xhirimit, redaktimit dhe auditimit të secilit mësim, duke siguruar në të njëjtën kohë se po vëzhgojmë distancimin social dhe masat paraprake të tjera për të mirë mbajtur një ekip të shëndetshëm xhirimi. “

Jehona Gjurgjeala, e cila drejton Fondacionin e Kosovës për Zhvillimin e Rinisë, TOKA, tha se roli i saj në koordinimin e mësuesve në këtë proces ka qenë i hollësishëm. “Projekti i mësimit elektronik në Kosovë ka treguar gjërat pozitive që mund të arrijmë kur punojmë së bashku për një kauzë,” tha ajo. “Megjithatë, ajo ka treguar gjithashtu se duhet të bëhet më shumë për të përmirësuar cilësinë tonë të mësimdhënies.”

A mund të kishin qenë shkollat më të përgatitura?

Edukatorët në Kosovë kanë qenë nën presion të transformojnë stilin e tyre të mësimdhënies për t’iu përshtatur masave kufizuese të pandemisë brenda një periudhe prej disa javësh. Sidoqoftë, kjo nuk ka nevojë të shfaqet si një tronditje, thanë pjesëmarrësit në këtë debat, pasi zhvillimi i programeve të mësimit në distancë në Kosovë nuk është një koncept i ri.

Në vitin 2014, Qeveria e Kosovës ndau pesë milion euro për të zhvilluar një platformë mësimore online (në internet) dhe për të trajnuar mësuesit se si ta përdorin atë. Sidoqoftë, pasi ky trajnim ka përfunduar në vitin 2016, kjo platformë ka mbetur e zbrazët nga përmbajtja dhe e papërdorur njëkohësisht.

“Kishte një platformë të mësimit elektronik, por ajo ekzistonte ashtu si një strukturë pa përmbajtje,” tha Bajrami. “Për të qenë i sinqertë, ne nuk u morëm me dokumentacionin e projektit dhe e pamë atë si një platformë të cilën nuk dinim ta shfrytëzonim. Na thanë se 700 mësues ishin trajnuar kohë më parë se si ta përdorin atë, por gjithçka u harrua, dhe na u dasht të fillonim përsëri. “

Sipas mësuesit dhe babait të dy fëmijëve, Demir Markoviq, përderisa kjo është më mirë sesa të mos bëhëet asgjë, nxitimi me të cilin janë zhvilluar programet mësimore – mësime të xhiruara aty ku ligjërojnë mësuesit dhe studentët thjesht vëzhgojnë – mund të ketë pasoja negative për të ardhmen e fëmijëve të cilët ata synojnë ti arsimojnë.

“Ekziston një mungesë e angazhimit dhe unë mendoj se ky është çelësi i arsimit cilësor. Ky lloj komunikimi, ku studenti është i kufizuar në bashkëveprimin e tij, mund të dëmtojë thelbësisht ndikimin e arsimit, “tha ai.

Markoviç vuri në dukje se ka aplikime online të cilat lejojnë një angazhim më domethënës me studentë, të tilla si Skype dhe Zoom, por që potenciali i tyre nuk do të shfrytëzohet siç duhet përmes metodave aktuale që po përdorën nga ministria. “Ne kemi teknologjinë që jep mundësi për bashkëveprim të duhur. Mësuesit i njohin mirë studentët e tyre, por ka pengesa psikologjike këtu, pavarësisht masën e angazhimit të mësuesëve. “

Sipas mësueses Blerta Hasani, varet nga prindërit nëse duan t’i ndihmojnë mësuesit kur metodat e edukimit interaktiv nuk shihen më si një mundësi. “Prindërit duhet të shërbejnë si urë, në këtë rast, duke ndihmuar me detyrat e shtëpisë dhe duke i dërguar ato”, tha Blerta Hasani.

Nermin Ibrahimi pjesëtare e komunitetit turk nga Prizreni, nënë e dy fëmijëve dhe pjesëmarrëse në debat, tha se ajo kishte hasur në pak probleme duke ndihmuar vajzat e saj të ndiqnin programet e mësimit. “Ne kemi ndjekur mësimet, dhe unë e di se kjo është një situatë e jashtëzakonshme për të gjithë, por unë kam qenë vërtet e kënaqur me atë që është transmetuar në RTK, dhe atë që kanë bërë mësuesit.”

Përtej programeve të përditshme mësimore, megjithatë, planet për vlerësime përfundimtare dhe provime nuk janë akoma në funksion, pranoi ministrja Bajrami.

 “Një grup ekspertësh arsimor nga komuna të ndryshme janë duke punuar drejt vlerësimit për nivele të ndryshme,” tha ajo. “Ne nuk mund të jemi shumë ambiciozë për sa i përket cilësisë, por ne po ecim në këtë drejtim. Nëse kjo pandemi na ndalon kthimin tonë në hapësirat shkollore, do të duhej të vazhdojmë së punuari në këtë drejtim. “

Hykmete Bajrami shtoi se ministria pritet të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me mënyrën se si do të bëhet vlerësimi për studentët e Kosovës “në ditët e ardhshme”.

Tejkalimi i pengesave gjuhësore në arsim

Sipas Zëvendës Ministrit të Arsimit nga komuniteti turk, Enis Kervan, ministria ka koordinuar mësuesit nga Mitrovica, Prishtina dhe zonat e thella të Prizrenit për t’u bërë bashkë në xhirimet e mësimit, duke siguruar që mësimet në gjuhën boshnjake dhe turke janë në dispozicion për nxënësit.

“Mësuesit janë bërë bashkë për të bërë shumë punë,” tha Kervan. “Mësuesit dhe politikanët po punojnë së bashku për hir të fëmijëve dhe ne kemi hasur në shumë pak probleme.”

Sidoqoftë, gazetari i komunitetit rom nga Prizreni, Fatlum Kryeziu, përderisa vë në pah se puna e mësuesve deri më tani ka qenë shembullore, ngriti çështjen që asnjë orë mësimore nuk është zhvilluar në gjuhën rome. “Në zona si Prizreni dhe Graçanica ka nxënës që mësojnë në gjuhën rome,” tha ai. “A po bëhet ndonjë gjë për ta?”

Sipas ministres Bajrami, ministria ka qenë duke funksionuar me besimin se nxënësit e komunitetit rom po ndjekin shkollën në gjuhën shqipe, andaj ata do të duhej të kenë qasje në programet e mësimit në distancë të gjuhës shqipe për të vazhduar arsimin e tyre. “Nëse nxënësit janë të interesuar dhe mësuesit janë të gatshëm, atëherë ne jemi të lumtur të fillojmë përgatitjen për të xhiruar mësime shtesë në gjuhën rome,” u përgjigj ajo.

Sidoqoftë, sa i përket arsimit në gjuhën serbe, përgjegjësia për zhvillimin e programeve të mësimit në distancë ka qenë nën kontrollin e plotë të Ministrisë së arsimit të Serbisë që nga fillimi i pandemisë.

Sipas Sanja Vukovic, mësuese e shkollës fillore në Viti, Radio Televizioni i Serbisë prezantoi një program që synon nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, që ishte përgatitur nga ministria me ndihmën e mësuesve që tashmë ishin të trajnuar në arsimin dixhital.

Vukoviç beson se nuk do të ishte e mundur që sistemi arsimor i Kosovës të përfshijë programet e gjuhës serbe në këtë kohë.

“Thënë thjesht, nuk ka bashkëpunim të mjaftueshëm midis individëve dhe partive politike,” tha ajo. “Ky ka qenë gjithmonë rasti me arsimin, megjithëse, duke marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi tani, gjërat duken të kënaqshme.”

Vukoviç theksoi se sa e rëndësishme është që programe të tilla të jenë në dispozicion në mbarë Kosovën. “Mos të harrojmë, kjo nuk është arsimimi vetëm i serbëve, por në gjuhën serbe,” tha ajo. “Përmes kësaj, bashkësia boshnjake, rome dhe gorane janë bashkuar, kështu që kjo është si një mundësi e dytë nëse ata dëshirojnë të hyjnë në arsim.”

Ndërkohë që disa nxënës të komunitetit boshnjak ndjekin shkollën në gjuhën serbe, Qeveria e Kosovës vendosi të xhirojë mësime me mësuesit boshnjakë të Kosovës në gjuhën boshnjake, kështu që familjet kanë një zgjedhje të dëgjojnë mësuesit e tyre që flasin në gjuhën e tyre dhe me theksueshmëri.

Hykmete Bajrami vuri në dukje se mungesa e arsimit në gjuhën serbe në kurrikulën zyrtare të arsimit në Kosovë është çështje politike, zgjidhja e së cilës e tejkalon shumë situatën aktuale. Ajo shtoi se integrimi i mësimit të gjuhës serbe është një çështje që duhet të zgjidhet në të ardhmen pas arritjes së një marrëveshjeje finale gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë.

Deri atëherë, deklaroi ministrja Bajrami, departamentet komunale të arsimit do të vazhdojnë të kenë kompetenca të gjera në lidhje me zbatimin e politikës arsimore në mënyrë që të mund të përshtaten me nevojat e komuniteteve nëpër komunat e Kosovës.

“Arsimi është i decentralizuar dhe komunat janë përgjegjëse për zhvillimin e arsimit fillor dhe të mesëm. Komunave iu është dhënë qëllimisht ky autoritet dhe kanë diskrecion për çështjet arsimore që rrjedhin nga të drejtat e garantuara në Planin e Ahtisaari, “shpjegoi ajo. “Ndërsa ne nuk kemi nevojë për një marrëveshje finale për të hartuar këtë kurrikul [në gjuhën serbe], ne duhet të sigurojmë paraprakisht që kemi aftësinë për zbatimin e tij. Ne nuk e kemi luksin të merremi me këtë çështje tani. “

Shumë sfida për suksesin e mësimit në distancë online akoma mbetent: çështje të tilla si lidhja e dobët e internetit në të gjithë vendin dhe në shkolla, mungesa e programeve arsimore të përshtatura për fëmijët me aftësi të kufizuara, dhe shumë mësues që nuk janë të njohur me teknologjinë e kërkuar për të përmbushur përgjegjësitë e tyre për nxënësit e tyre,  akoma duhet të zgjidhen.

Vetëm tre javë pas nisjes së programit për mësimin në distancë, megjithatë, prindërit dhe mësuesit janë optimistë se gjërat janë në rrugën e duhur, tha Majlinda Nushi, nënkryetare e këshillit të prindërve për shkollat në Prishtinë.

“Si prind dhe qytetare, kjo iniciativë, kontributet dhe sakrificat që janë bërë deri më tani janë vërtet diçka për të vlerësuar,” tha ajo. “Vazhdoni me këtë punë të mirë.”

 

Kjo seri e debateve është mbështetur dhe financuar nga UNMIK. Programi pasqyron vetëm pikëpamjet e individëve.”