Ilustrim, Foto: REL/Reuters

Mediat në Maqedoninë e Veriut shkruajnë se njëri nga viktimat në Vjenë është shqiptar

Mediat lokale në Maqedoninë e Veriut shkruajnë se njëri nga viktimat e sulmit terrorist mbrëmë në Vjenë të Austrisë është një shqiptar me origjinë nga fshati Veleshtë e Strugës.

Sipas ‘Zërit të Amerikës’, mediat lokale raportojnë se Nexhip Vrenezi, 21 vjeçar, është vrarë nga sulmet e së hënës në kryeqytetin austriak.

Tutje, VOA shkruan se lajmin e kanë konfirmuar familjarë të viktimës, por jo edhe autoritetet zyrtare.

Ndërkohë, Policia e Maqedonisë së Veriut bëri të ditur se autoritetet policore austriake përmes EUROPOL-it, kanë kërkuar informacion dhe bashkëpunim lidhur me njëri prej të dyshuarve, Kujtim Fejzullai dhe se Sektori për bashkëpunim ndërkombëtar pranë MBP-së në Shkup, është përgjigjur menjëherë pozitivisht. Por, autoritetet në Shkup thonë se nuk kanë ndonjë dosje mbi aktivitetin e Kujtim Fejzullait.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se përveç Kujtim Fejzullait, edhe dy persona të tjerë, shtetas maqedonas kanë qenë të përfshirë në sulmet e ditës së hënë në Vjenë.

“Nga lista e policisë austriake, e cila iu dorëzua disa policive, përfshirë edhe policinë tonë, konstatua se edhe dy persona tjerë, përveç austriakut, gjithashtu kanë shtetësinë e Republikës së Maqedonisë Veriore, përkatësisht K.F. (i lindur në Modling, Austri), A.G. (i lindur në St. Polten, Austri) dhe U.A. (i lindur në Vjenë, Austri). Sektori për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar në Ministrinë e Brendshme u vu menjëherë në dispozicion të kolegëve nga Austria dhe ne po bashkëpunojmë intensivisht me të gjithë elementët që lidhen me këtë rast”, thuhet në njoftimin me shkrim të MPB-së në Shkup.

Edhe dy shtetas të Maqedonisë së Veriut ishin të përfshirë në sulmin në Vjenë