Foto: CNN/Reuters

Mediat amerikane: Është vrarë udhëheqësi i ISIS-it

Udhëheqësi i grupit “Shteti Islamik” (ISIS), Abu Bakr al-Baghdadi, ka qenë shënjestër e një operacioni ushtarak në Siri dhe do të jetë vrarë, njoftuan shumë media amerikane disa orë para një “lajmi shumë të rëndësishëm” nga Donald Trump që do ta japë sot në mëngjes, raporton AFP.

Sipas CNN dhe ABC, të cilat citojnë zyrtarë të lartë, al-Baghdadi është vrarë gjatë një operacioni të ushtrisë amerikane në verilindje të Sirisë.

Sipas CNN, janë duke u bërë teste për të konfirmuar formalisht vdekjen e udhëheqësit të grupit xhihadist përgjegjës për shumë atentate të përgjakshme në gjithë botën.

Sipas një zyrtari të cituar nga ABC, ai ka aktivizuar jelekun me eksploziv për t’u vetëvrarë, raporton AFP.

Abu Bakr al-Baghdadi nuk kishte dhënë shenja se është gjallë që nga një audio-incizim i publikuar në nëntor 2016, pas fillimit të ofensivës irakiane për ta rimarrë Mosulin. Në këtë audio-incizim, al-Baghdadi u bënte thirrje luftëtarëve të tij të luftonin deri sa të binin dëshmorë.

Në xhaminë e Mosulit udhëheqësi i ISIS-it ishte shfaqur për herë të parë dhe të vetme publikisht, në korrik 2014.

Ai u kishte bërë thirrje të gjithë myslimanëve t’i besonin pasi nga grupi i tij ishte zgjedhur në krye të kalifatit të shpallur në zona të kontrolluara nga ISIS në Irak dhe Sirinë fqinje.

Emri i vërtetë i al-Baghdadit është Ibrahim Awad al-Badri. Ai ka lindur në vitin 1971 në një familje të varfër në rajonin e Bagdadit.

I pasionuar pas futbollit, ai kishte dështuar të bëhej avokat pastaj ushtarak para se ta studionte teologjinë.

Në kohën e pushtimit të Irakut nga amerikanët, më 2003, ai formon një grup të vogël xhihadistësh pa ndonjë shtrirje të madhe para se të arrestohej dhe të burgosej.

I liruar në mungesë të provave, ai i bashkohet grupit të gueriles sunite nën tutelën e “Al Qaedas” dhe pak vite më vonë bëhet udhëheqës i tij.

Duke shfrytëzuar kaosin e luftës civile, luftëtarët e tij vendosen në Siri më 2013 para një ofensive të rreptë në Irak.

Grupi do të ndryshojë emrin për t’u quajtur “Shteti Islamik”, dhe për shkak të sukseseve ushtarake fillestare dhe propagandës do të tërheqë mijëra përkrahës në mbarë botën, raporton AFP.