Ramush Haradinaj - Arkiv - FOTO KALLXO

Haradinaj flet për vrasjen e al-Baghdadit, thotë se Kosova është e rreshtuar kundër terrorizmit

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar në lidhje me vrasjen e liderit të ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi, duke thënë se ky është moment historik drejt fitores ndaj terrorizmit.

Ai nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Kosova do të mbetet partner i besueshëm kundër terrorizmit.

“Operacioni i Ushtrisë Amerikane për vrasjen e e udhëheqësit të grupit militant të Shtetit Islamik (ISIS) Abu Bakr al-Baghdadi është moment historik drejt fitores ndaj ISIS dhe terrorizmit. Kosova do të mbetet partner i besueshëm dhe qëndron e paluhatur në rreshtin e Koalicionit Global Kundër Terrorizmit, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Haradinaj.

Ditën e djeshme, presidenti amerikan Donald Trump, bëri të ditur se pas një operacioni të ushtrisë amerikane në veriperëndim të Sirisë, është arritur vrasja e liderit të Shtetit Islamik, al-Baghdadi, i cili u bë i njohur në vitin 2014, ku njoftoi krijimin e ‘kalifatit’ në zonat e Sirisë dhe Irakut.

Donald Trump: al-Bagdadi është vrarë