Foto: CNN/Reuters

Kush ishte Abu Bakr al-Bagdadi ?

Abu Bakr al-Bagdadi, emri i vërtetë i të cilit është Ibrahim Awad al-Badri, ka lindur në vitin 1971 në një familje të varfër në rajonin e Bagdadit, raporton AFP.

I pasionuar pas futbollit, ai kishte dështuar të bëhej avokat pastaj ushtarak para se ta studionte teologjinë.

Në kohën e pushtimit të Irakut nga amerikanët, më 2003, ai formon një grup të vogël xhihadistësh pa ndonjë shtrirje të madhe para se të arrestohej dhe të burgosej.

I liruar në mungesë të provave, ai i bashkohet grupit të gueriles sunite nën tutelën e “Al Qaedas” dhe pak vite më vonë bëhet udhëheqës i tij.

Duke shfrytëzuar kaosin e luftës civile, luftëtarët e tij vendosen në Siri më 2013 para një ofensive të rreptë në Irak.

Grupi do të ndryshojë emrin për t’u quajtur “Shteti Islamik”, dhe për shkak të sukseseve ushtarake fillestare dhe propagandës do të tërhiqte mijëra përkrahës në mbarë botën.

Përveç mizorive të kryera në Siri e Irak, grupi i tij, ISIS, ka kryer sulme terroriste edhe në vende të ndryshme të botës.

Abu Bakr al-Baghdadi nuk kishte dhënë shenja se është gjallë që nga një audio-incizim i publikuar në nëntor 2016, pas fillimit të ofensivës irakiane për ta rimarrë Mosulin.

Në këtë audio-incizim, al-Baghdadi u bënte thirrje luftëtarëve të tij të luftonin deri sa të binin dëshmorë.

Në xhaminë e Mosulit udhëheqësi i ISIS-it ishte shfaqur për herë të parë dhe të vetme publikisht, në korrik 2014.

Ai është vrarë dje në një operacion të forcave amerikane për ta kapur atë.

Sipas disa informacioneve, ai ka hedhur veten në erë duke aktivizuar jelekun me eksploziv.

Vrasjen e tij e ka konfirmuar sot presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.