Lufta Rusi-Ukrainë: Çfarë dihet në ditën e 122 të pushtimit ushtarak

Sot është dita e 122 e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Rusia ka dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt të këtij viti me qëllim të degradimit të kapaciteteve ushtarake të Ukrainës dhe të çrrënjosjes së njerëzve që i ka quajtur nacionalistë të rrezikshëm, raporton media The Guardian.

Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj luftës.

Perëndimi ka vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë me qëllim që kjo e fundit të tërhiqet nga lufta mirëpo kur kjo nuk ndodhi atëherë Perëndimi, i udhëhequr nga SHBA dhe Britania e Madhe kanë nisur me armatosjen e Ukrainës me armë dhe logjistikë të ndryshme përfshirë edhe raketat e prodhimit më të ri.

Rusia e sheh ndihmën ushtarake të perëndimit si një përfshirje në këtë luftë dhe zotohet se do të përgjigjet ndaj cilitdo reagimi ushtarak.

Në ndërkohë zhvillimet më të fundit gjatë natës dhe ditës së djeshme në luftën e Ukrainës janë si në vijim:

Konsumatorët gjermanë mund të përballen me një trefishim të çmimeve të gazit në muajt e ardhshëm pas frenimit të dërgesave nga Rusia në Evropë, ka thënë një zyrtar i lartë i energjisë. Moska uli fluksin e gazit përmes gazsjellësit Nord Stream 1 me 40% javën e kaluar, duke i përmendur arsyet teknike që Berlini i hedh si pretekst, duke shkaktuar një rritje katër deri në gjashtëfish të çmimeve të tregut, tha shefi i agjencisë së rrjetit federal të Gjermanisë, Klaus Müller. Të tilla “hapje të mëdha në çmim” nuk kishin gjasa të kalonin tërësisht te konsumatorët, tha ai, por qytetarët gjermanë duhej të përgatiten për kostot në mënyrë dramatike në rritje. “Një dyfishim ose trefishim është i mundur,” i tha ai transmetuesit publik ARD.

Forcat ukrainase po përgatiten të tërhiqen nga qyteti strategjik lindor Severodonetsk pas disa javësh luftime të ashpra. Sergiy Gaiday, guvernatori i rajonit të Luganskut që përfshin Severodonetsk, tha se forcat ushtarake ukrainase në qytet kishin marrë urdhrin për t’u tërhequr dhe qëndrimi i mëtejshëm në pozicione “thjesht nuk ka kuptim”, duke shtuar se 90% e qytetit industrial ishte dëmtuar. Udhëheqësi i administratës ushtarake të Severodonetsk, Roman Vlasenko, i tha Radio Svoboda se ushtria ukrainase është ende në qytet dhe se do t’u duhet pak kohë “për t’u pensionuar.

Këshilli Evropian ka miratuar 9 miliardë euro ndihmë financiare për Ukrainën. Në një deklaratë të bërë nga kryeministri polak, Mateusz Moraëiecki, në samitin e Këshillit Evropian në Bruksel të premten, ai tha: “Ka një luftë në Ukrainë dhe nuk ka asnjë qindarkë për t’i paguar infermierët, mësuesit, policinë, rojet kufitare apo shumë Sherbime të tjera Publike. ”

Rusia e ka dënuar vendimin e Bashkimit Evropian për ta pranuar Ukrainën dhe Moldavinë si kandidatë për anëtarësim. Maria Zakharova, zëdhënëse e ministrisë së jashtme ruse, ka deklaruar se “me vendimin për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendeve kandidate, Bashkimi Evropian ka konfirmuar se vazhdon ta shfrytëzojë në mënyrë aktive CIS në një nivel gjeopolitik, për ta përdorur atë për ‘ta përmbajtur’ Rusinë”, duke iu referuar sferës së ndikimit të Rusisë brenda Komonuelthit të Shteteve të Pavarura, të përbërë nga ish-vendet sovjetike.

Kanadaja do të jetë në gjendje t’i konfiskojë dhe disponojë asetet e sanksionuara si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës, pas miratimit nga Senati kanadez të buxhetit të kryeministrit, Justin Trudeau, të enjten. Më pas qeveria do të jetë në gjendje t’i përdorë fondet nga asetet e sekuestruara për ta mbështetur Ukrainën.

Agjencia kryesore e sigurisë e brendshme e Ukrainës tha të premten se kishte zbuluar një rrjet spiuni rus që përfshin ligjvënësin ukrainas Andriy Derkach, i cili më parë ishte akuzuar nga SHBA si agjent rus. Shërbimi shtetëror i sigurisë tha se Derkach, vendndodhja e të cilit nuk u bë e qartë, krijoi një rrjet firmash private sigurie për t’i përdorur ato për ta lehtësuar dhe mbështetur hyrjen e njësive ruse në qytete gjatë pushtimit të Moskës më 24 shkurt.

Më shumë se 3000 delfinë në Detin e Zi kanë ngordhur si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës, sipas shkencëtarëve ukrainas që punojnë në rezervatin “Tuzlovsky Lymans”, një park kombëtar natyror. Nexta raporton se “puna e sonarit dhe shpërthimet i pengojnë ata të gjejnë ushqim” dhe se delfinët e ngordhur janë gjetur gjithnjë e më shumë në brigjet e Bullgarisë dhe Rumanisë, përveç Ukrainës.

Ukrainës do t’i duhej një dekadë për ta rindërtuar infrastrukturën e porteve të saj të Detit të Zi, bllokada e të cilave nga Rusia po i pengon eksportet globale të grurit, sipas zëvendësministrit të Bujqësisë të Ukrainës. “Për rrugët alternative, do të duheshin 10 vjet investim për ta ndërtuar infrastrukturën e nevojshme për ta zëvendësuar këtë infrastrukturë portuale të Detit të Zi, të cilën ne shpenzuam rreth 20 vjet duke e ndërtuar, duke filluar nga viti 2000,” tha Taras Vysotskiy të premten.

Rusia i ka lëshuar 70 raketa në Odesa që nga 24 shkurti, ka thënë prokuroria rajonale e qytetit jugperëndimor. Sipas prokurorisë, shumica e raketave kanë shënjestruar zonat e banuara dhe shërbimet publike./The Guardian