Lansohet e-testimi për patentë shofer

Sot është lansuar E-testimi për patent shoferë në shtatë qendra të Kosovës.

Në një konferencë për media, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se realizimi i këtij projekti është një reformë shumë e rëndësishme për vendin, pasi sipas tij, përmes këtij aplikacioni do të rritet cilësia e testimit të kandidatëve.

“Një projekt ky në fushën e patentë-shoferëve, i cili do të lehtësoj punën në të gjitha njësitë si dhe po ashtu do të shkurtojë kohën e pritjes së menjëhershme për pjesën teorike të provimit për patenë-shofer. Për më shumë, do t’i eliminoj gabimet e mundshme teknike në mënyrën se si është praktikuar testi deri më sot”, tha Durmishi para gazetarëve.

Sipas tij, në muajin dhjetor të këtij viti ka qenë faza testuese e projektit në të gjitha qendrat regjionale të Kosovës dhe në muajin janar do të fillojë në 7 qendra regjionale.

Durmishi tha se implementimi i projektit do të fillojë nga data 5 janar 2022.

Gjithashtu, zëvendësministri Durmishi bëri të ditur se është ndarë buxhet për fillimin e një projekti tjetër, që lidhet me njësinë e patent-shoferëve për ndërtimin e shtatë qendrave regjionale, pasi sipas tij, deri më tash po operohet në objekte të stacioneve të autobusëve.

“Me fillimin e ndërtimit të objekteve të reja, do të sigurohen kushte shumë më të mira për mirëmbajtjen e pajisjeve dhe po ashtu do të bëjmë zhvillimin e mëtutjeshëm të softuerit, duke kontribuar kështu që të dixhitalizojmë komplet procesin e patentë-shoferëve në të ardhmen”, ka thënë Durmishi.