Kurti uron Pashkët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar Pashkët për të gjithë besimtarët katolikë dhe protestantë.

Ai ka thënë se “më shumë se kurrë kemi nevojë për besim, mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, që t’i kalojmë të gjitha pengesat me durim e t’i kremtojmë arritjet me gëzim.”

“Urime për të gjitha familjet që e shënojnë këtë festë të shenjtë e të madhe” – është shprehur ai.

Tutje kryeministri ka thënë se “lë t’ia përkujtojmë njëri-tjetrit se me më shumë vendosmëri e besnikëri, të inkurajuar nga shpresa e të mbrujtur nga përkushtimi, së bashku, ndërtojmë një shoqëri të mirëkuptimit dhe solidaritetit.”

“Le të frymëzohemi nga gëzimi që vjen pas sakrificës së madhe, nga gëzimi i ringjalljes, nga kumti i Pashkës për më shumë përgjegjësi dhe unitet. Kjo kohë e mirësisë dhe afërsisë së vërtetë reflektohet edhe në kujdesin për fqinjët tanë. Le të tregojmë solidaritet dhe vullnet për të ndihmuar të tjerët” – u shpreh ai.

Sipas shefit të ekzekutivit, Festa e Pashkës është festë e shpresës, besimit dhe dashurisë së përjetshme, ku jeta mposht vdekjen dhe drita mposht errësirën, ajo evokon devocionin dhe tregon rrugën e ripërtëritjes dhe rilindjes dhe na inspiron për të arritur fitoren e së mirës mbi të keqen me fuqinë e shpirtit tonë.