Kryeministri Albin Kurti, priti në takim lamtumirës ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel, Foto: ZKM

Kurti: Te Franca shohim shtetin aleat dhe popullin mik të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel, të cilën e ka falënderuar për bashkëpunimin dhe angazhimin e saj gjatë mandatit në Kosovë.

Sipas njoftimit, me këtë rast, Kurti ka vlerësuar kontributin e Butel për projekte në fusha të ndryshme të bashkëpunimit Francë-Kosovë dhe ka theksuar përkushtimin e saj për të çuar përpara agjendën e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët.

“Te Franca shohim shtetin aleat dhe popullin mik të Republikës së Kosovës. Vlerat e saj për lirinë, demokracinë, të drejtat dhe mirëqenien e qytetarëve, që i kemi mësuar nga Franca, duam t’i aplikojmë edhe në Kosovë, në vendimet tona dhe në përpilimin e programeve tona qeveritare”- tha Kryeministri duke shtuar se mirëpret përfshirjen aktive të Francës në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në njoftim thuhet se, ambasadorja Butel vlerësoi pjekurinë demokratike në Kosovë  që ka sjellë ndryshimin në vend. Po ashtu, vlerësoi reformat strukturore të ndërmarra nga Qeveria.

Butel ka theksuar se Franca ka interes të veçantë për Ballkanin dhe se është e interesuar të përforcojë lidhjet me Kosovën, si dhe ta përmirësojë imazhin e Kosovës, si vend që di të bashkëpunojë edhe në sfera ndëruniversitare e kulturore.

“Duke folur për përvojën e saj në Kosovë, ambasadorja Butel potencoi avancimin e marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Francë, duke theksuar marrëveshjet në kulturë e ekonomi. Ajo veçoi marrëveshjen për bashkëprodhimin e filmave, si dhe projektin e impiantit të ujërave të ndotura në Prishtinë, që pas shumë vështirësive tani është në binarë”- bëhet e ditur në njoftim.