Foto: ZKM

Kurti pret bashkatdhetarët në ndërtesën e Qeverisë, i fton për investime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka organizuar një pritje për bashkatdhetarët në ballkonin e objektit të Kryeministrisë.

Midis shumë aktiviteteve të organizuara nga institucionet për mërgatën, si Karvani i diasporës, takimet në Kuvend, takimet nëpër ministri e mjedise publike, takimet në ngjarje kulturore, u mbajt pritja nga Kryeministri me bashkëatdhetarë të fushës së artit e kulturës, dhe profesionistë të fushave të ndryshme, për të bashkëbiseduar nga afër për ide dhe mundësi të reja për bashkëpunim me mërgatën.

Kryeministri iu uroi bashkatdhetarëve mirëseardhje në Kosovë, e në Prishtinë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam mirëpritur iniciativën e stafit të Kryeministrisë që ta bëjmë “Ballkonin e Hapur”, tha ai.

Kryeministri theksoi vendimin e Qeverisë për miratimin e Programit për Diplomaci Qytetare që ka për qëllim përfshirjen aktive të mërgatës në politikë bërje dhe synon të forcojë lidhjen e saj me Kosovën, duke ju krijuar mundësi përfshirje të drejtpërdrejtë.

Kjo nismë u mundëson bashkatdhetarëve që të mund të vijnë edhe në institucionet e Kosovës dhe të bëjnë punë zyrtare e praktike deri në gjashtë muaj, që t’i kontribuojnë politikës sonë të jashtme dhe shërbimit sa më cilësor të jashtëm të Republikës së Kosovës.

“Duke konsideruar që secili bashkatdhetar i yni në mërgatë është diplomat, e kjo nuk është e rastësishme, sepse pikërisht një bashkatdhetare të shquar, një veprimtare të palodhshme, vajzën e heroit tonë Jusuf Gërvallës e kemi kryediplomate sot në Republikën e Kosovës. Andaj, nuk ka pasur emërtim dhe nismë më të mirë sesa ajo për Diplomaci Qytetare”, tha ai.

“Nëse para shumë dekadave kemi qenë përgjithësisht punëtorë krahu në Evropën Perëndimore, në Mbretërinë e Bashkuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri në Australinë e largët, tash shqiptarët kudo që jetojnë, punojnë, veprojnë, banojnë, janë inxhinierë, mjekë, janë artistë e sportistë, janë njerëz të kulturës e të dijes, të shkathtësive nga më të ndryshmet, burra e gra bashkë, të rinj e të moshuar. Në këtë mënyrë i kontribuojmë edhe imazhit të vendit tonë, por gjithashtu edhe ekonomisë, shoqërisë e kulturës së vendeve ku ata janë”, tha Kryeministri.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në kanale zyrtare bashkatdhetarët tanë në 5 vitet e fundit kanë sjellë më shumë se sa 6 miliardë euro. Prej këtyre më shumë se 6 miliardë euro, ¾ janë remitanca, dërgesa për familjet, miqtë, dashamirët, ndërkaq ¼ janë investime në ekonominë tonë.

“Për shkak se ekonomia jonë po rritet, për shkak se korrupsioni po luftohet, për shkak se optimizmi i qytetarëve të Republikës është për të investuar dhe për të riinvestuar, ne kësaj radhe nuk e thërrasim mërgatën tonë që të kthehet për të kontribuar duke sakrifikuar, por që të kthehet për të fituar duke investuar”, tha kryeministri.

Kryeministri Kurti falënderoi bashkatdhetarët që nuk po e harrojnë asnjëherë Kosovën, vendlindjen e tyre, dhe pavarësisht se a jemi në luftë a në paqe, a jemi në një rritje të hovshme apo edhe në stagnacion e në prapambetje, gjithmonë janë kthyer në mënyrë që të çmallen me vendlindjen, por edhe ta ndihmojnë e përkrahin atdheun.

“Ne ju kemi shumë borxh, një borxh të cilin nuk pretendojmë t’ua lajmë sepse e dimë që është e pamundur, mirëpo me politika të mira dhe me bashkëpunim të dendur jemi të bindur që sadopak mund ta lajmë një pjesë të vogël të këtij borxhi, i cili është aq i madh sa që i pallogaritshëm”, tha Kryeministri Kurti.​