Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Kurti për zgjedhjet: Opozita duhet të bëhet gati- ne jemi gati gjithmonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sërish ka shprehur gatishmërinë për zgjedhje të parakohshme.

Në një deklarim për media, më 15.05.2024, ai deklaroi se “opozita duhet të bëhet gati”.

“Opozita duhet të bëhet gati- ne jemi gjithmonë gati. Përndryshe, nëse ata janë rehat, na shkon mandati deri në fund. Për mua ka qenë e rëndësishme të diskutohet agjenda legjislative sepse kemi shumë marrëveshje ndërkombëtare”- ka deklaruar ai.

Kurti më 14.05.2024 ka zhvilluar një darkë pune me partnerët e koalicionit qeverisës, përkatësisht me bashkëdrejtuesit e Partisë Guxo, Donika Gërvalla dhe Faton Pecim si dhe me kryetaren e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.

Në takim thuhet se u trajtuan edhe kërkesat dhe qëndrimet e opozitës aktuale në Kuvendin e Kosovës lidhur me procesin zgjedhor.

Në cilindo skenar, partnerët e koalicionit qeverisës, sipas kumtesës, janë shprehur të gatshëm dhe tërësisht të bindur se “vlerat e kultivuara të demokracisë dhe progresi i deritanishëm i Qeverisë do të vazhdojë bashkë me përcaktimin tonë për shtet demokratik të zhvilluar, me sundim të rendit dhe ligjit dhe për integrim në strukturat veri atlantike”.

Kryeministri Kurti, më 13.05.2024, ka zhvilluar një takim edhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Në takimin tre orësh, nga Kurti dhe Krasniqi u konfirmua se temë e diskutimeve ishte edhe çështja e zgjedhjeve të reja.

I pari që doli para mediave ishte kryetari i PDK-së, i cili tha se në takim i ka shprehur kryeministrit Kurti domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ai theksoi se është i gatshëm të gjejë një dakordim me të gjitha partitë për një datë të re të zgjedhjeve dhe për të shpërndarë Kuvendin përmes një mocioni të përbashkët.

Ndërsa, Kurti tha se është i interesuar që ta diskutojë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet. Kreu i ekzekutivit theksoi se i ka ftuar të gjitha partitë sonte më 13.05.2024, dhe se do të insistojë të takohet edhe me pjesën tjetër të opozitës.

Këto deklarata ngjallën edhe reagime të bllokut opozitar, AAK dhe LDK, dy parti që refuzuan takimin me kryeministrin .

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se partia e tij do e mbështeste shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kurtit.

Edhe LDK, në një komunikatë për media u shpreh se është e gatshme për zgjedhje të parakohshme në Kosovë, por ata kërkojnë fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Kurti dhe pastaj shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.