Kurti për regjistrimin e popullsisë në Serbi: Përkundër pengesave, shqiptarët u aktivizuan në maksimum të regjistrohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përgëzuar qytetarët shqiptarë në Serbi të cilët sipas tij, i janë përgjigjur pozitivisht procesit të regjistrimit të popullsisë.

Kurti ka thënë se pjesëmarrja e shqiptarëve në regjistrimin e popullsisë në Serbi është veprim kombëtar e historik.

“Që në ditën e parë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës bëra thirrje që regjistrimin e popullsisë mos ta trajtojmë vetëm si veprim i natyrshëm, por si veprim kombëtar e historik. Sepse shqiptarët në Serbi, e me theks të veçantë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë. Në rrethana normale e në vende me demokraci të zhvilluar e liri të garantuara, ky proces do të trajtohej si proces i natyrshëm, por në të tilla rrethana nuk jetojnë shqiptarët në Serbi. Ata përballen me mosintegrim e me shkelje të të drejtave elementare të njeriut”- ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka thënë se nga informacionet që kanë, përkundër pengesave të shfaqura gjatë procesit të regjistrimit, shqiptarët janë aktivizuar për një muaj rresht që të regjistrohen të gjithë, duke u përfshirë edhe ata me banim të përkohshëm në Kosovë e diasporë.

Kryeministri Kurti ka kërkuar vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare gjatë përpunimit të të dhënave të regjistrimit të popullsisë në Serbi.

“Jemi të vetëdijshëm që edhe përpunimi i të dhënave, proces në të cilin shqiptarët nuk do të kenë qasje, është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura, ende pa përfunduar procesi, janë shifra të fryera nga shqiptarët, kërkojmë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare.Pranoni përshëndetjet e përzemërta të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe mirënjohjen time të thellë, për të gjithë shqiptarët atje, që me vendosmëri dëshmuat se jeni aty, e se jeni shumë më shumë se që ju paraqesin”- thuhet në postimin e Kurtit.

Shqiptarët në Serbi jetojnë kryesisht në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Për herë të fundit, ata kanë marrë pjesë në regjistrimin e vitit 2002, i cili është zhvilluar nën monitorimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).Në Luginën e Preshevës, sipas regjistrimit të 2002-ës, kanë qenë 88.966 qytetarë të regjistruar, prej tyre 57.737 shqiptarë, apo 65 për qind.