Foto: ZKM

Kurti për bisedën e përgjuar të Kusari- Lilës: Qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar me Radoiçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në lidhje me audio-incizimet ku pretendohet të jetë duke folur shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili kërkohet nga INTERPOL-i në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24.09.2023.

Kurti e ka quajtur bisedën telefonike të publikuar si të montuar.

“Unë vetë nuk i kam dëgjuar, por qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar dhe e kanë shumë të qartë pse Radoiçiq ikë tash dhe dikur ishte në kryeministri. Zëdhënësi i subjektit Vetëvendosje e ka dhënë përgjigjen e saktë për këtë gjë. Ajo është një situatë e montuar dhe Radoiçiq këtë muaj i bënë 9 muaj që është i lirë në Serbi. Trysnia do të duhej të ishte që në Kosovë të ngritët aktakuzë”- u shpreh ai.

Kurti është pyetur nëse ndaj Mimoza Kusari – Lilës do të ndërmerren masa pas audio – incizimeve.

“Po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht disa sekonda të një bisede qe unë nuk e di ku është marrë, si është marrë, si është prerë e nga kush është organizuar. Por, edhe njëherë, unë jam kryetari LVV-së, dhe Mimoza Kusari nuk është anëtare. Edhe po të ishte anëtare brenda LVV-së ka komisione. Nuk e ka LVV kryetarin diktator që merr vendime siç do të kishte dëshiruar ndokush”- ka thënë tutje ai.

Gazeta Nacionale më 03.06.2024 ka publikuar një audio-incizim, ku pretendohet që janë duke folur shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq, dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili kërkohet nga INTERPOL-i në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Kusari-Lila, ka deklaruar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, ish-deputetit dhe zyrtarit të Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Sipas Kusari-Lilës, incizimi dhe publikimi i incizimit të jashtëligjshëm nga Simiq nuk ka qëllim as informimin e drejtë, as ndonjë parim tjetër.

Mimoza Kusari-Lila dorëzon kallëzim penal ndaj Sllavko Simiqit për audio-incizimet