Kurti: Pa e njohur pavarësinë e Kosovës, nuk do të ketë integrim evropian as për fqinjët tanë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova gjithnjë e ka pasur të qartë se opisioni është Evropa.

Kurti ka thënë se edhe kancelari gjerman Olaf Scholz edhe presidenti francez Emanuel Macron, e kanë bërë të qartë se pa njohur pavarësinë e Kosovës, nuk do të ketë integrim evropian as për fqinjët.

“Kosova e ka pasur të qartë gjithnjë se opsioni i vetëm është Evropa. Të mos harrojmë se edhe kancelari gjerman, edhe presidenti francez, e kanë bërë të qartë se pa njohur pavarësinë e Kosovës, nuk do të ketë integrim evropian as për fqinjët tanë. Sa më shpejt që e kuptojnë, aq më mirë është edhe për ta”- ka thënë Kurti.

Ai kështu u shpreh gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ku po foli, sipas tij, për të arriturat e partisë e Qeverisë nën udhëheqejen e tij.

Dy ditë para takimit në Bruksel, Kurti ka folur edhe procesin e dialogut me Serbinë.

Kurti ka thënë se statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal, ndërsa, sipas tij, status normal është njohja reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip.

“Kemi mirëpritur emisarët special nga perëndimi sa herë që kanë ardhur. Kemi qenë e do të jemi të përkushtuar, parimorë, konstruktiv e kreativ. Dialogu në Bruksel është dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është dialog për statusin e marrëdhënieve”- ka thënë Kurti.

Të hënën në kryeqytetin evropian palët pritet ta kenë për herë të parë para vetës një dokument, i njohur në publik si “plani franko-gjerman”. Dy liderët e dy shteteve, Albin Kurti dhe Alkesandae Vuçiq, pritet të nënshkruajnë një ujdi për pranimin e këtij dokumenti ndërkohë presioni nga ndërkombëtarët për arritjen e një marrëveshje sa vjen e shtohet.