Albin Kurti, foto: ZKM

Kurti në Gjermani, takohet me diasporën në Hamburg e do ta ndjekë në ndeshjen Shqipëri-Kroaci

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron për vizitë në Gjermani. Zyra e tij ka njoftuar se mbrëmë më 18.06.2024 është takuar me diasporën kosovare në Hamburg.

Gjatë vizitës në Gjermani, Kurti do të jetë i pranishëm në stadium për të shikuar ndeshjen Shqipëri – Kroaci, në kuadër të Kampionatit Europian të futbollit “Euro 2024”.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka njoftuar bashkëatdhetarët për procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, vendimin e qeverisë për të ndarë tre milionë euro për mbulimin e policës kufitare dhe për ndarjen e tre milionë eurove të tjera për garantimin e kredive të bizneseve që hapen nga bashkëatdhetarët.

“Kryeministri gjithashtu përmendi programin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për Diplomaci Qytetare, përmes së cilit shumë profesionistë të rinj po vijnë në Kosovë dhe po kontribuojnë në institucionet shtetërore me ekspertizën dhe kualifikimet e tyre” – thuhet në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se Kurti bashkë me përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin, do të vizitojë portin e Hamburgut për të parë nga afër Sistemin e Skanimit të Ngarkesave me Rreze X në këtë port.

Në Hamburg të Gjermanisë, kryeministri Kurti po shoqërohet nga ministri për Kthim edhe Komunitete, Nenad Rashiq dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani. Atje po qëndron me ftesë të Përfaqësuesit të Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.