Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti flet për vendimin e kryetarit të Gjilanit për shkurtimin e orarit të punës për zyrtarët që agjërojnë

Kryeministri Albin Kurti ka komentuar vendimin e kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, për shkurtimin e orarit të punës për zyrtarët që agjërojnë.

Lidhur me këtë çështje, Kurti tha se kryetari Hyseni ka qëllim të mirë.

Ai tha se nuk beson që Hyseni ka shkelur ndonjë ligj apo rregullore.

“Unë e di që kryetari Alban Hyseni ka qëllim të mirë. Komunat i monitoron Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal. Nuk besoj qe kryetari Alban Hyseni ka shkelur ligj apo ndonjë rregull. E për arsyeshmerinë dhe dobinë e këtij vendimi më së miri është t’i pyesni qoftë organet komunale, qoftë MAPL”- tha Kurti gjatë vizites në Gjilan.

Sa i përket anës ligjore të këtij vendimit, KALLXO.com ka kërkuar informacione në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, por deri më tani nuk ka pranuar përgjigje.

Ministrit i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pa dhënë detaje të tjera ka konfirmuar se kjo ministri do ta shqyrtojë vendimin e kryetarit të Gjilanit.

KALLXO.com sot ka tentuar të marrë një përgjigje nga Komuna e Gjilanit por të njëjtit nuk kanë pranuar të deklarohen për këtë çështje.

Dje, në një prononcim për KALLXO.com, këshilltari për media, Besart Selimi ka thënë se një vendim i tillë ka qenë iniciativë vet kryetarit dhe jo ndonjë kërkesë nga ndonjë drejtori.

“Nuk është ndryshim i orarit por vetëm lehtësirë për një orë duke e pasur parasysh vështirësinë e agjërimit e orarit të hershëm të syfyrit. Kjo është një praktike që është praktiku edhe vitin e kaluar dhe po besoj që praktikohet edhe në shumë institucione të tjera” – tha ai.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nxjerrë vendim që për muajin e Ramazanit, zyrtarët që agjërojnë të punojnë një orë më pak.

Më vendimin e nxjerrë më 23 mars, Hyseni i ka obliguar drejtoritë që të mbajnë evidencë për punonjësit që agjërojnë.

Vendimi ka hyrë në fuqi nga data 24 mars dhe do të jetë në fuqi deri më datën 20 prill.

Vendimi i kryetarit Hyseni në Gjilan – 1 orë më pak punë për ata që agjërojnë