Kurti: Duhet ndryshime në prokurim publik, qytetarët duhet të përcjellin taksat e tyre

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka shpalosur disa plane për të ardhmen që sipas tij duhet bërë në prokurim publik, kryesisht të bazuara në transparencë.

Sipas Kurtit, burimi kryesor i korrupsionit janë kontratat e korruptuara dhe favorizimi i bizneseve që janë të lidhur me njerëz të politikës.

“Unë e di që Ligji për Prokurim është ndryshuar disa herë, por asnjëherë nuk është menduar një reformë e plotë, do të përfshinte edhe institucionet e tjera. Këto ndryshime, duhet të përfshijnë sanksione për autoritetet që nuk përfshijnë menaxhimet e kërkuara. Duhet të përfshijë listën e zezë për operatorët ekonomik të cilët dështojnë të ofrojnë kualitetin që kanë ofruar, të kryejnë punët më kohë, manipulojnë me dokumente apo korruptojnë zyrtarë publik. Duhet hapur kontratat publike në përjashtim të atyre që përmbajnë sekrete shtetërore të rregulluara me Ligj”, u shpreh Kurti në eventin “Arritja dhe sfidat në prokurim publik në Kosovë” që është organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, në Prishtinë.

“Nuk ka asnjë sekret afarist që nuk duhet publikuar. Taksat e paguara të qytetarëve nuk janë sekrete. Mjetet duhet të lidhen me thesarin. Duhet gjetur mënyra se si publikimi të jetë i thjeshtë dhe i atillë që qytetarët të mund të përcjellin paranë publike me publikim të urdhër-pagesa”, ka thënë kryeministri Kurti.

Kurti tha se duhet ndryshuar Ligjin për Shoqërinë tregtare, që sipas tij, duhet hapja e përfituesve përfundimtar.

“Duhet ta ndryshojmë Ligjin për Shoqërinë tregtare, ARBK duhet të hap të dhënat për menaxhimin e kompanive, historiku i plotë i pronarëve, postet publike dhe menaxhmentit, postet publike dhe duhet lejuar verifikimi automatik i operatorëve ekonomik që aplikojnë në tendere si pjesë e kërkesave të dosjes të tenderit. Së fundmi na duhet hapja e përfituesve përfundimtar. Këtu me gjasë na duhet një ligj i ri ku operatorët që marrin pjesë në prokurim publik do t’i nënshtrohen një transparence të shtuar”, ka thënë kreu i ekzekutivit kosovar.

Ndërkaq, i ngarkuari me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe tha se korrupsioni është problem gobal.

Sipas tij luftimi i korrupsionit është rruga të cilën duhet ta ndjek Qeveria e Kosovës.

“Zotimi i Kosovës është kyq se pa gjykata efiçiente e të pavarura nuk mund të shkojmë përpara”, tha ai.

Giacobbe u shpreh i frymëzuar që ka parë aktivistë të shumtë që merren me këtë fushë.

“Kjo luftë duhet të udhëhiqet nga vetë Kosova. Kosova po shënon ndryshime thelbësore duke siguru transparencë të plotë për prokurim”, tha ai.

Ai tha se prokurimit publik luan rol në mposhtjen e korrupsionit. Gjithashtu premtoi se Qeveria Amerikane do të vazhdoj të bashkëpunoj në fushën e prokurimit publik.