Foto:ZKM

Kurti bisedon me Chollet për dialogun dhe situatën pas zgjedhjeve në katër komunat në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka zhvilluar një telefonatë me Këshilltarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Kurti me Chollet kanë biseduar procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike, dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.

Po ashtu, sipas njoftimit ata folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur.

Në njoftim thuhet se Kurti e Chollet, folën edhe për vizitën në Kosovë të Administratores së USAID, Samantha Power.

“Këshilltari Chollet tha se ajo ishte ndarë me përshtypjet më të mira dhe e falënderoi kryeministrin për pritjen. Kryeministri u shpreh i nderuar dhe mirënjohës për vizitën e administratores Power dhe për mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën”- ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Kryetari i  ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendsoje që u zgjodh nga zgjedhjet e 23 prillit, pritet ta jap betimin si kryetar këtë të premte.

Derisa, kryetarët e tri komunave tjera që kanë mbajtur zgjedhjet, deri më tani nuk kanë bërë publike datën kur pritet të betohen.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.