Kryeministri Hoti përcjell mesazh urimi për qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka përshëndetur zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.
Hoti në mesazhin e urimit tha se ka kënaqësinë t’i shpreh urimet më të sinqerta kryeministrit Zoran Zaev, kabinetit të tij qeveritar dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
“Jam i bindur se marrëdhëniet tona bilaterale do të vazhdojnë të forcohen, në bazë të marrëdhënieve historikisht të afërta dhe miqësore ndërmjet dy vendeve tona dhe dy popujve tanë”, thuhet në mesazh.
Tutje Hoti tha se Qeveria e Kosovës, dhe ai personalisht, mezi presin që të punojmë me Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat.
“Ne jemi të vendosur të përqendrohemi sidomos në rritjen e bashkëpunimit tonë bilateral ekonomik që duhet të përputhet me marrëdhëniet e shkëlqyeshme politike ndërmjet të dy vendeve tona”, perfundoi Hoti.