Konjufca: Kosovës i duhet mbështetja e Norvegjisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar sot ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl, ku kanë biseduar për marrëdhëniet e deritashme ndërmjet dy vendeve dhe zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon.

Sipas një komunikate për media, Konjufca vlerësoi lart mbështetjen e deritashme të Norvegjisë për Kosovën në shumë fusha, ndërsa theksoi domosdoshmërinë që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ai tha se perspektiva europiane e Kosovës është rruga të cilën e përkrahin pa dallim të gjitha institucionet dhe spektri politik në vend, andaj përkushtimi për përmbushjen e detyrave që përshpejtojnë këtë proces është punë me prioritet.

Ndërsa, Grondahl, duke uruar kryeparlamentarin Konjufca për zgjedhjen e tij në krye të Kuvendit të Kosovës, tha se Norvegjia ka qenë afër Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit të saj, duke dhënë kontribut të çmueshëm në këtë drejtim.

Ai shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për të përkrahur Kuvendin e Kosovës, nëpërmjet projekteve që lehtësojnë punën e administratës dhe të ligjvënësve.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se ka vend dhe hapësirë që Kosova dhe Norvegjia të avancojnë bashkëpunimin ndërparlamentar, pastaj në ekonomi, arsim, kulturë dhe sferat tjera me interes për të dyja vendet.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës me 26 dhjetor të 2019, ditën kur u konstitua Kuvendi pas zgjedhjeve të 6 tetorit.