Ivica Daçiq

Ivica Daçiq: Çka të bëjmë me serbët që po tregojnë ku janë varrosur shqiptarët në Serbi?

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, në një intervistë ka folur për shumë tema, por edhe për marrëdhëniet dhe bisedimet Kosovë – Serbi.

Daçiq që nga koha kur mban detyrën e Ministrit, ka pasur një fushatë aktive dhe intensive duke lobuar tek shumë shtete të botës për të mos njohur pavarësinë  Kosovës.

Në një intervistë për Tv Happy në emision “Çirilica” të datës 29 shtator, Daçiq ka folur kryesisht rreth marrëveshjes së 4 shtatorit të arritur në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë intervistës kur po diskutohej për raportet e Serbisë dhe përpjekjet e Daçiqit në tentimet e tij për të rregulluar raportet me shtetet që konsiderohen fuqi të mëdha botërore, ministri i jashtëm Ivica Daçiq ka folur për veprimet e serbëve, sipas tij, kundër vendit të tyre.

Në një moment gjatë intervistës Daçiq ka thënë: “Të mos merremi me amerikanët, gjermanët dhe turqit, më thoni ju mua (duke i’u drejtuar udhëheqësit të emisionit) se çfarë duhet të bëjmë me serbët, të cilët i tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve, flasin budallallëqe të ndryshme dhe u tregojnë atyre se ku janë të varrosur shqiptarët në të gjithë Serbinë”.

Udhëheqësi i emisionit i ka thënë Daçiqit se “të gjitha historitë e zeza për Serbinë, kanë dalë nga Beogradi”.

Kurse ministri Ivica Daçiq ka vazhduar të flasë për këtë temë duke dhënë shembullin e emisionit “Personat e zhdukur” e duke deklaruar se “ata kohë pas kohë vizitojnë dhe kërkojnë në disa lokacione,  që raportohen nga disa spiunë“.

“Kemi persona, që nga Prokuroria për Krime Lufte bashkëpunojnë me shqiptarët. Si është e mundur që letrat, nuk e di nga Prokuroria apo në çfarë forme, por letra nga shërbimet tona për zbulimin e Krimeve të Luftës, përfundojnë diku tjetër?” ka deklaruar Ivica Daçiq.