Islamofobia e Evropës mund të jetë zhbërja e Dodikut

Frika nga një Bosnjë me shumicë myslimane mund t’i shtyjë më në fund liderët e BE-së ta frenojnë njeriun e fortë separatist.

Më 7 korrik, Milorad Dodik u fut në një fazë të re të axhendës së tij secesioniste në Bosnje.

Udhëheqësi serb i linjës ekstreme nënshkroi në ligj dy pjesë të legjislacionit të miratuar nga Asambleja Kombëtare e Republika Srpska – një nga dy njësitë administrative të Bosnjës së pasluftës, së bashku me Federatën e Bosnjë dhe Hercegovinës. Legjislacioni e ndalon zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në territorin e Republika Srpska dhe në mënyrë efektive e nxjerr jashtë ligjit zbatimin e vendimeve të dhëna nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), organi ndërkombëtar ad hoc i ngarkuar me mbikëqyrjen e zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje që nga përfundimi i luftës në 1995.

Në kombinim, legjislacioni përfaqëson një sfidë me dy drejtime: për institucionet e nivelit shtetëror të Bosnjës dhe për OHR.

Sulmi i Dodik ndaj Gjykatës Kushtetuese të Bosnjes është hapi i fundit në përpjekjet e tij për t’i zbrazur institucionet e nivelit shtetëror të Bosnjës. Disa muaj përpara pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Dodik ndërmori disa veprime që synonin formimin e institucioneve paralele në Republika Srpska për ta sfiduar Sarajevën zyrtare dhe për t’i hedhur bazat për shkëputjen e ardhshme. Me pranimin e tij të sinqertë, çka e ndaloi Dodikun të vazhdonte me këtë synim ishte lufta në Ukrainë. Por ai nxitoi të vëjë në dukje se pauza e tij në axhendën secesioniste ishte thjesht e përkohshme.

Në rrethana normale, një shtet do të reagonte ndaj lëvizjeve të tilla flagrante drejt shkëputjes duke i shfuqizuar vendimet e paligjshme dhe duke lëshuar urdhër-arreste. Në vitin 2017, për shembull, gjykatat më të larta të Spanjës e shpallën të paligjshëm referendumin e shkëputjes së Katalonjës dhe lëshuan një urdhër për arrestimin e liderit separatist Carles Puigdemont.

Mirëpo në Bosnje, kapja e shtetit ka filluar prej disa kohësh. Marrëveshja e paqes e Dejtonit e vitit 1995 krijoi një sistem politik jashtëzakonisht kompleks të përcaktuar nga ndarja e pushtetit etnik midis tri grupeve kryesore etnike – boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve. Në të kaluarën, secesionistëve serbë iu dhanë kompetenca të gjera – një Republika Srpska shumë autonome dhe të drejtën e vetos në nivel shtetëror – në këmbim të mbetjes në Bosnje.

Si rezultat, forcat pro-secesioniste zunë një sërë pozicionesh kyçe institucionale në këtë vend. Me kapjen e shtetit, pothujse tërësisht, Bosnja tani e ka të frikshme t’i përgjigjet hapit të fundit drejt shkëputjes, siç bënë autoritetet spanjolle në vitin 2017.

Dodik, megjithatë, nuk po merret vetëm me institucionet shtetërore të Bosnjës. Ligji për vendimet e OHR-së është një sfidë e drejtpërdrejtë për këtë organ. Në vitet e pasluftës, OHR ishte një aktor i frikshëm me fuqinë për t’i shkarkuar zyrtarët e zgjedhur. Më pas, gjatë dekadës së fundit, ndikimi i këtij organi ra ndjeshëm. Megjithatë, që kur ish-ministri gjerman i Bujqësisë, Christian Schmidt mori detyrën si përfaqësues i lartë në gusht të vitit 2021, OHR është rikthyer në biznesin e imponimit të vendimeve në Bosnje, duke përfshirë edhe luajtjen e një roli vendimtar në formimin e një qeverie të re në Federatë.

Ndryshe nga politikanët boshnjakë në Federatë, Dodik ka refuzuar me vendosmëri tapranojë emërimin e Schmidt në OHR dhe është zotuar t’i injorojë vendimet e këtij organi. Dhe ai e ka mbajtur fjalën e tij deri më tani – të paktën zyrtarisht. Ai e ka shmangur Schmidt-in për gati dy vjet dhe tani veçse i ka intensifikuar kërkesat e tij paraprakisht duke e parandaluar zyrtarisht zbatimin e vendimeve të OHR në 49 përqind të Bosnjes.

Asnjë zyrtar serb i Bosnjës nuk është përballur kaq paturpësisht me OHR për dy dekada e gjysmë. Veprimet e Dodikut përbëjnë rrezik të qartë dhe të pranishëm për rëndësinë e Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje. Dhe ato janë një sfidë e drejtpërdrejtë si për Schmidt-in personalisht ashtu edhe për OHR-në si institucion. Ajo që Schmidt bën ose nuk arrin të bëjë më pas do të ketë pasoja afatgjata për stabilitetin e Bosnjës.

A do ta shkarkojë OHR-ja Dodikun, a do t’i përmbahet dhe do të tërhiqet apo do ta sfidojë OHR-në duke e injoruar vendimin e saj? Nëse shkarkohet, si do të zbatohet ky vendim? Ministria e Brendshme e Republika Srpska është përfundimisht nën kontrollin e liderit separatist. Duke supozuar se policia i mbetet besnike atij, ai thjesht mund ta injorojë OHR-në dhe të vazhdojë tutje.

OHR, në fund të fundit, nuk ka asnjë mekanizëm efektiv për t’i zbatuar vendimet e saj. Tani nuk jemi në mesin e viteve 1990 kur forca zbatuese e udhëhequr nga NATO kishte rreth 60,000 trupa në terren. Pasardhësi i saj – Forca e Bashkimit Evropian (EUFOR) – është një tigër prej letre me rreth 1000 trupa. Ky fakt e bën edhe më sfiduese që vendimet e OHR të zbatohen në Republika Srpska.

Në fakt, vendimet e imponuara të OHR-së deri më tani mbështeteshin në vullnetin e politikanëve për t’i respektuar vendimet e Schmidt. Megjithatë, është e paqartë nëse OHR ka një udhërrëfyes se çfarë të bëjë kur përballet me një separatist të pakompromis. Nëse Schmidt i mbyll sytë, Dodik do të shënojë një fitore tjetër që e bën atë një hap më afër ëndrrës së tij përfundimtare për ta krijuar një shtet të tijin.

Me shkëputjen serbe në thelb duke u zhvilluar në Bosnje, projekti i shtet-ndërtimit të pasluftës prej gati tri dekadash po zhbëhet me shpejtësi. Ndërkohë qëky shtet i nënshtrohet dy proceseve paralele të kapjes dhe shkëputjes së shtetit, pyetja e afërt është se çfarë do të ndodhë më pas në javët dhe muajt në vijim.

Teksa ekspertët në Sarajevë dhe më gjerë mendojnë për fatin e Bosnjës, ajo që mungon dukshëm nga analizat dhe parashikimet është ajo që do të ndodhte një ditë pas shkëputjes zyrtare të Dodik. Është ky rezultat, dhe jo vetë separatizmi i Dodikut, që e bën Evropën të shqetësuar.

Kjo sepse nëse Republika Srpska do të ndahej, ajo që do të mbetej do të ishte një republikë me shumicë myslimane në Bosnje. Asnjë lider, politikan apo parti politike boshnjake nuk e favorizon krijimin e një republike të tillë. Nuk ka mbështetje popullore për këtë opsion. Megjithatë, ky do të ishte rezultati i pashmangshëm i shkëputjes së Republika Srpska. Kështu, Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për këtë skenar nëse nuk arrin t’i përgjigjet në mënyrë adekuate shkëputjes që po zhvillohet aktualisht.

Ky skenar i mundshëm, megjithëse i anashkaluar, nuk është i ri. Miku dhe historiani i ish-presidentit amerikan Bill Clinton, Taylor Branch, shkroi në The Clinton Tapes: ërestling History With the President se Clinton i tregoi se si liderët evropianë kundërshtuan heqjen e embargos së armëve të vendosura nga OKB-ja ndaj Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992-1995. Embargoja e kufizoi aftësinë e Bosnjës për ta mbrojtur veten dhe heqja e saj ishte një objektiv kryesor i politikës së jashtme të Sarajevës.

Branch i ka thënë Klintonit se evropianët mendonin se Bosnja do të ishte “e panatyrshme” si i vetmi shtet me shumicë myslimane në Evropë. Clinton i tha Branch se presidenti francez Francois Mitterrand dhe zyrtarët britanikë “kanë folur për një restaurim të dhimbshëm, por realist të Evropës së krishterë”. Me fjalë të tjera, shqetësimi për një rezultat që boshnjakët nuk e mbështesin, ka shqetësuar Evropën që nga fillimi i viteve 1990.

Fatkeqësisht, një mendim i ngjashëm është artikuluar viteve të fundit.

Presidentja e atëhershme kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç në vitin 2019 deklaroi se Bosnja “është shumë e paqëndrueshme dhe në disa aspekte është e pushtuar nga njerëz që kanë lidhje me Iranin dhe organizatat terroriste. Ky vend tani kontrollohet nga Islami militant”.

Në fund të vitit 2019, presidenti francez Emmanuel Macron i tha The Economist se Bosnja është një “bombë me sahat që po troket pranë Kroacisë dhe që përballet me problemin e kthimit të xhihadistëve”. Kjo deklaratë u dënua gjerësisht në Bosnje në atë kohë dhe u pa si nënvlerësim i perspektivës tashmë të zbehtë të këtij vendi për anëtarësim në BE.

Dy vjet më vonë, në fund të vitit 2021, zëdhënësi i kryeministrit hungarez Viktor Orban, Zoltan Kovacs, shkroi në Twitter se “sfida me Bosnjën është se si të integrohet një vend me 2 milionë myslimanë”.

Këto përpjekje nga vitet 1990 e deri më sot për t’i portretizuar viktimat e gjenocidit në Evropë si një kërcënim për sigurinë në kontinent përfaqësojnë një përpjekje të llogaritur për revizionizmin historik. Për më tepër, ky sigurim i boshnjakëve dhe përpjekjet për ta portretuar kombin kryesisht laik dhe kryesisht pro-perëndimor evropian si një problem, ka bërë që shumë njerëz, veçanërisht gjenerata e re e intelektualëve, të pyesin gjithnjë e më shumë nëse Bashkimi Evropian dhe udhëheqësit e tij janë të sinqertë për anëtarësimin e Bosnjes në klubin e tyre.

Me Bosnjën e cila nuk është ende anëtar i NATO-s, vakuumi i sigurisë është i mprehtë, veçanërisht për boshnjakët, të cilët përbëjnë pak më shumë se 50 përqind të popullsisë. Ndryshe nga serbët e Bosnjës që mund t’i drejtohen Beogradit për mbështetje, apo kroatët e Bosnjës që mund të mbështeten te Zagrebi, boshnjakët nuk kanë vendlindje alternative. Për ta, ruajtja e Bosnjës ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë një imperativ ekzistencial.

Për tri dekadat e fundit, kam parë teksa liderët boshnjakë thirreshin në parime universale, vlera evropiane dhe ligj ndërkombëtar në mënyrë të përsëritur në një përpjekje për të fituar mbështetje në Evropë për ta mbajtur vendin e tyre të paprekur. Në fakt, fantazma e një republike myslimane në Bosnje si rezultat i drejtpërdrejtë i shkëputjes mund të rezultojë të jetë arsyeja e vetme më bindëse pse liderët evropianë mund të vendosin të ndërhyjnë./Foreign Policy

Hamza Karcic është profesor i asociuar në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Sarajevës. Twitter: @KarcicHamza

Përgatiti: Nuhi Shala