IPK do të analizojë videot për të verifikuar reagimin e zyrtarëve policorë gjatë arrestimit të asamblistit të LVV-së

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Arianit Beqiri është arrestuar nga Policia e Kosovës më 24.06.2024.

Shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla thotë se arrestimi erdhi pasi Beqiri kishte refuzuar të paguaj hyrjen në hapësirën publike ku po shfaqen ndeshjet e futbollit. Sipas Sveçlës Inspektorati Policor duhet të merret me “dhunën e shfaqur nga polici”.

Në lidhje me këtë, KALLXO.com ka kontaktuar me IPK-në. Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka tha se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë ankesë në lidhje me këtë rast, porse sipas detyrës zyrtare, do të analizojnë pamjet për të verifikuar sjelljet dhe reagimin e zyrtarëve policorë.

“IPK deri tani nuk ka pranuar ndonjë ankesë lidhur me këtë rast, sidoqoftë sipas detyrës IPK në kuadër të autorizimeve ligjore do të analizoj videot për të verifikuar sjelljet dhe reagimin e zyrtarëve policorë”- ka thënë Beka për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar me zyrën për media në Policinë e Kosovës, mirëpo ata kanë thënë se nuk kanë ende ndonjë përgjigje në lidhje me këtë rast.

Arrestohet në sheshin e Prishtinës asamblisti i LVV-së, reagon Gëzim Sveçla