Avdullah Hoti - LDK

Hoti: Ende mbijetojnë politikanë që në projektet e tyre të garës politike zë vend termi “gjakderdhje”

Nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti i cili tha se ‘ka politikanë që duan gjakderdhje në terren për t’u rikthyer te ndarja e Kosovës’.

“Për fat të keq ende mbijetojnë politikanë në Kosovës që në projektet e tyre të garës politike zë vend termi “gjakderdhje” në kuadër të përpjekjeve për arritje të qëllimeve të tyre politike”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Hoti ka kritikuar përdorimin e fjalës ‘gjakderdhje’ në diskursin politik në Kosovë duke shtuar që tanimë ka kaluar koha e gjakderdhjes.

“Këto ditë është përmendur shpesh fjala “gjakderdhje” nga disa politikanë, aq shumë saqë është bërë term i përdorur edhe në diskutime të problemeve financiare dhe ekonomike. Për fat të mirë, populli i Kosovës e ka kaluar kohën e gjakderdhjes. Nuk do të ketë asnjë gjakderdhje tjetër”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas tij ‘të gjitha çështjet e pazgjidhura në politikën e brendshme dhe të jashtme, sado të vështira të jenë, do të zgjidhen me mjete politike, demokratike e kushtetuese’.

Hoti ka siguruar qytetarët se LDK do të përdorë vetëm mjete politike për zgjidhjen e problemeve.

“Këtë e sigurojmë ne, dhe ndjehemi besimplotë në këtë lloj qasje të zgjidhjes së çështjeve të hapura politike, sepse kështu na sigurojnë miqtë tanë euroatlantik”, ka shkruar tutje ai.

Sot përmes një deklarimi kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë që disa politikanë në Kosovë, duke aluduar në presidentin Thaçi, kanë të njëjtin mendim me politikanët në Beograd: ata duan konflikt dhe shkëmbim dhe gjakderdhje.