Foto: KALLXO.com

Haradinaj – Kurtit: Nëse e heq taksën, ke me mbet cullak

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përsëri i është drejtuar kryeministrit aktual, Albin Kurtit, me kërkesën që mos ta largojë taksën që ai e kishte vendosur ndaj produkteve serbe.

Haradinaj ka thënë se nëse Kurti e largon taksën ai do të mbetet “cullak”

“Albini është ka don me hek, por i kisha bërë thirrje mos e hek taksën. Unë nuk është se pajtoj me Albinin, i kam disa qëllime të mia për to dhe ai ka bë një sakrificë e si gjithë Kosova, edhe ai ka bërë burg ka vuajtur, andaj në emër të kësaj sakrificë i bëj thirrje mos e hek taksën se ke me mbet cullak, I deshur”, ka deklaruar ai në një intervistë për RTK.

Tutje ish-kreu i ekzekutivit ka deklaruar se përshtypja e tij në vizitën në Amerikë është se Kurti u ka thënë amerikanëve që do ta largojë taksën, vetëm ndalojeni Haradinajn.

“Përshtypja ime është se Albini u ka thënë: Amortizone Ramushin unë e heki taksën. Atë përshtypje e fitoj këtu në Amerikë prej bashkëbiseduesve. Është marre ashtu me ardhë puna deri aty, me shku me thënë i deshi pantollët veç mbromni prej Ramushit”, ka thënë më tej Haradinaj.

Haradinaj sot edhe përmes një postimi në Facebook i është drejtuar Kurtit që mos ta largojë taksën.

Kurse, Kurti ka deklaruar se do ta largojë taksën 100% dhe se do të vazhdojë me parimin e reciprocitetit.

“Ne nuk i vendosim Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën në të njëjtën fjali asnjëherë. Jemi këtu edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet si zëvendësim për tarifën 100 përqind. Edhe LDK edhe LVV edhe zonja Osmani edhe unë mbi 60 përqind të votave në Kosovë kanë qenë me parimin e reciprocitetit”, ka thënë Kurti pas një takimi me shefen e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Taksa 100 % ndaj produkteve serbe është vendosur në fund të muajit tetor 2018, kur në krye të Qeverisë ishte Ramush Haradinaj.

Kjo taksë kishte shkaktuar edhe pezullimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe po ashtu kishte nxitur reagime nga ndërkombëtarët.