Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Haradinaj kundër rivlerësimit të mësimdhënësve

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, është kundër rivlerësimit të mësimdhënësve pasi e konsideron si ofendim për ta një gjë të tillë.

“Kjo forma e rikualifikimit është një lloj ofendimi. Pse s’po rikualifkohemi ne politikanët, apo pushtetarët, apo të tjerët, por po rikualifikohet mësimdhënësi. Unë nuk i kthej ata që i kanë përfunduar studimet në universitete, që janë të pranuar me ligj, e që kanë marrë kontrata në bazë të ligjit.”- tha ai në “Debat Përnime” më 05.02.2025.

Ai premtoi investime për digjitalizimin e shkollave në Kosovë.

Ndërsa për mësimin tërëditor, Haradinaj tha që nuk e ndalë si ide, mirëpo paraprakisht duhet një vlerësim.

“E lë si opsion, por megjithatë duhet me u bë një vlerësim i përformancës. Nuk e ndali si ide, por ish dashtë me bë një vlerësim të saj”- tha ai.

Haradinaj nuk e përjashton as mundësinë e pensionimit të hershëm për mësimdhënësit që kanë probleme shëndetësore, apo edhe për ata që zgjedhin vet të pensionohen shkaku i moshës.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha se në këto zgjedhje zyrtarisht i kemi katër kandidatë për kryeministër.

“Të gjithë i kam ftuar për me qenë pjesë e një përballjeje të përbashkët. Ju kam dërguar ftesa e ju kam treguar rregullat e debatit, por i pari që ka refuzuar me u përball me kundërkandidatët e vetë ka qenë Albin Kurti”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Vija e kuqe e Haradinajt dhe synimet kryesore të tij nëse bëhet kryeministër