Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fjalimi i Kurtit për themelimin e institucionit të Operës së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se me themelimin e institucionit të Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik, do ta çojnë programin e tyre qeverisës përpara.

Kurti tha se gjatë vitit 2022 ky institucion do t’i ketë dyert e hapura.

“Me këta muzikantë ne krenohemi sa herë fitojnë çmime por deri tani në Kosovë nuk kemi pasur një vend dinjitoz për t’i dëgjuar ata. Gjatë vitit të ardhshëm 2022 do t’i hap dyert, e do të jetë funksional në shërbim të vet komunitetit të muzikantëve, instrumentistëve këngëtarëve solist e koral por edhe për kënaqësinë e art-dashësve të filharmonisë, operës e baletit”, tha Kurti.

Qeveria e Kosovës në bazë të Ligjit për filarmoninë, operën e baletin e Kosovës, sipas Kurtit ka marrë vendimin që të kërkojë nga Kuvendi i Kosovës përmbushjen e detyrimit ligjor për themelimin e këtij institucioni publik.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka kryer një analizë të kostos financiare. Në bazë të kostos vlerësojmë se një pjese e konsiderueshme e kostos janë të përballueshme brenda strukturës aktuale të ndarjeve buxhetore që i ka kjo ministri. Themelimi i institucionit të operës nuk do të ketë implikime financiare për vitin 2022”, shtoi Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë do të ndërtojnë një objekt të përshtatshëm por do të marrë kohë përzgjedhja e një projekti të denjë, i cili e pasqyron Prishtinën në planin urban e arkitekturor.

“Deri në ndërtesën e këtij objekti të ri ne do të përzgjedhim një objekt ekzistues dhe do të sistemojmë institucionin dhe trupën artistike në mënyrë që pa vonesë artistët të fillojnë shfaqjet e të kemi mundësi edhe ne si publik që t’i shijojmë ato”, tha Kurti.

Ai shtoi se përzgjedhja do të bëhet nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe nga Komuna e Prishtinës.

Me 53 vota për Kuvendi nuk kishte kuorum që ta votojë këtë pikë.