Falja e Bajramit në xhami, Sindikata e Shëndetësisë paralajmëron për rritje të numrit të rasteve me COVID-19

Kosova është në fazën alaramante të rasteve me COVID-19.

Së fundmi, çdo ditë në nivel vendi po rezultojnë të infketuar mbi 200 persona.

Mbrëmë është raportuar se Qeveria e Kosovës do ta lejojë faljen e namazit të Bajramit nëpër xhamitë e vendit, mirëpo Federata Sindikale e Shëndetësisë apelon për kujdes në marrjen e vendimeve për tubimet publike.

Rrezikun e rritjes së rasteve me COVID-19 në rast se bëhen tubime e ka konfirmuar për KALLXO.com, Blerim Syla nga Sindikata e Shëndetësisë në Kosovë.

“Unë nuk kam informacion ende. Nesër me siguri do të kemi takim me ta dhe me Komitetin. Çdo tubim i cili e kalon numrin e 50 personave e rrit numrin e infeksionit. Jemi dëshmitarë të tubimeve të ndryshme ku kanë sjellë rritjen e rasteve”, tha ai.

Përveç qytetarëve të rëndomtë, infeksioni i coronavirusit ka prekur edhe stafin shëndetësor në vend, kështu duke rënduar edhe më shumë situatën në vend.

Brenda javës kanë vdekur tre mjekë si pasojë e coronavirusit.

Deri më tani në Kosovë janë 6917 persona të infektuar nga COVID-19, prej tyre janë shëruar 3753 persona dhe 169 të tjerë kanë vdekur.