Presidenti amerikan, Donald Trump - Foto: REL/AP

E tallin ish-presidentin Trump pasi u kërkoi mbështetësve që të vaksinohen

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump është tallur nga turma në një tubim të shtunën në Alabama, pasi u tha mbështetësve se duhet të vaksinohen.

“Dhe e dini çfarë? Unë besoj plotësisht në liritë tuaja. Ju duhet të bëni atë që doni të bëni ”, tha Trump. “Por, unë rekomandoj: merrni vaksinat. E bëra. Është mirë. Merrni vaksinat”, tha ai më tej, raporton media CNBC.

Po, derisa ai tha kështu disa zhurma dolën nga turma e tubimit, të cilët ishin kryesisht pa maskë.

“Jo, kjo është në rregull. Kjo është në rregull. Ju e keni lirinë tuaj”, tha Trump, duke i bërë jehonë retorikës nga kundërshtarët e maskave dhe mandateve të vaksinave.

“Por, unë e kam marrë vaksinën dhe nëse nuk funksionon, do të jeni të parët që do ta dini. Mirë? Unë do të thërras Alabama, do të them, hej, e dini çfarë? Por [vaksina] po funksionon. Por, ju keni liritë tuaja që duhet t’i mbani”, tha Trump.

Ish-presidenti amerikan ishte prekur nga COVID-19 vitin e kaluar. Ai e kishte minimizuar në disa raste kërcënimin e pandemisë së coronavirusit dhe rrallë kishte veshur maskë.

Trump: Mbajtja e maskës bën mirë, por të jetë vullnetare