Departamenti i Drejtësisë Amerikane: Trump nuk ka të drejtë për imunitet nga paditë civile për sulmin në Kapitol Hill

Departamenti i Drejtësisë thotë se ish-presidenti mund të mbahet përgjegjës për dëmtimin fizik dhe psikologjik të pësuar gjatë 6 janarit.

Donald Trump nuk ka imunitet absolut nga paditë civile që kërkojnë dëmshpërblim lidhur me nxitjen e tij të dyshuar të sulmit të 6 janarit në Kapitol Hill, thotë Departamenti i drejtësisë amerikane në një dosje gjyqësore që mund të ketë implikime të mëdha për ankesat kundër ish-presidentit.

Në një përmbledhje miqësore në një rast të sjellë nga dy zyryarë policorë të Kapitol Hill të SHBA dhe, përmbledhjes të së cilës, iu bashkuan 11 demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, Departamenti i drejtësisë tha se Trump mund të mbahet përgjegjës për dëmtimin fizik dhe psikologjik të pësuar gjatë sulmit, pavarësisht përpjekjeve të tij për të kërkuar mbrojtje të përgjithshme.

Departamenti i drejtësisë theksoi se nuk po ka shqyrtuar nëse padia kishte dhënë një argument të besueshëm se fjalimi i ish presidentit Trump menjëherë përpara sulmit të 6 janarit nxiti mijëra mbështetës të tij të sulmonin Kapitol Hillin në një përpjekje për ta ndaluar certifikimin e fitores zgjedhore të kandidatit dempkrat dhe presidentit aktual, Joe Biden.

Mirëpo, Departamenti tha se për shkak se nxitja aktuale e dhunës private të afërt – standardi kryesor ligjor – nuk do të mbrohej nga imuniteti presidencial, Gjykata e Apelit duhet ta refuzojë pretendimin e tij se ai kishte imunitet absolut nga proceset gjyqësore civile.

“Asnjë pjesë e përgjegjësive zyrtare të një presidenti nuk përfshin nxitjen e dhunës së afërt private”, thuhej në përmbledhje. “Sipas përkufizimit, një sjellje e tillë bie qartë jashtë detyrave kushtetuese dhe statutore të presidentit”.

Opinioni i Departamentit të drejtësisë vjen pasi gjykata e apelit i kërkoi qeverisë ta ofrojë pozicionin e saj ndërkohë që shqyrtoi nëse Trump po vepronte brenda kufijve të zyrës së presidencës kur ai u kërkoi mbështetësve të tij të “luftonin si në ferr” dhe të marshonin në Kapitol Hill.

Ndjeshmëria e çështjes – ndikimi i mundshëm në paditë e tjera civile kundër Trump që mund të kenë implikime për imunitetin presidencial – nënkuptonte se departamentit iu deshën disa muaj dhe bëri dy kërkesa për një zgjatje prej një muaji përpara se ta finalizonte përgjigjen e tij.

Duke u mbështetur kundër pozicionit të Trump se ai gëzonte “imunitet kategorik”, Departamenti i drejtësisë tha se ishte dakord me një vendim të gjykatës më të ulët që amendamenti i parë i kushtetutës nuk e lejonte Trumpin ta shmangte përgjegjësinë në padinë e 6 janarit.

Padia u ngrit në bazë të një statuti, të miratuar pas luftës civile në përgjigje të kryengritjeve të Ku Klux Klan në të gjithë jugun për t’i ndaluar njerëzit me ngjyrë të votojnë, gjë që i lejon dëmet kur përdoret forca ose frikësimi për t’i parandaluar zyrtarët qeveritarë t’i kryejnë detyrat e tyre.

Përmbledhja e dokumentit ligjor vjen ndërkohë që Departamenti i drejtësisë në mënyrë kontroverse vazhdon ta mbrojë pretendimin e Trump për imunitet absolut në një rast shpifjeje të ngritur nga shkrimtarja E Jean Carroll, e cila e akuzon Trumpin për përdhunimin e saj në Nju Jork në mesin e viteve 1990. Trump ka thënë “një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë” dhe tha se Carroll nuk është “tipi i tij”.

Duke iu përgjigjur atij rasti, departamenti argumentoi se ndërkohë që komentet e Trump nuk ishin të përshtatshme, ato erdhën kur ai ishte president. Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me pretendimin, departamenti tha se një pjesë e përgjegjësisë së një presidenti ishte “të jetë i përgjegjshëm ndaj medias dhe publikut”./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala