Dëgjimi publik për buxhetin në Komunën e Mitrovicës së Veriut, mungojnë qytetarët serbë

Në Kuvendin Komunal në Mitrovicë të Veriut, më 18.06.2024 u mbajt dëgjimi publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore për vitin 2025-2027.

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut kishin mundësinë të paraqisnin kërkesat dhe propozimet  për investimet që mund të bëhen me buxhetin në vlerë prej 6,512,367 euro. Mirëpo për më shumë se një orë diskutim mes ekzekutivit dhe qytetarëve, në këtë seancë nuk mori pjesë asnjë qytetar nga komuniteti serb.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin ka thënë se mungon interesimi nga qytetarët e këtij komuniteti.

“Nuk ka të interesuar për qytetin, për investimet kapitale. Nesër vijnë të unë, te kryetari dhe thonë nuk kemi ndriçim, nuk e kemi këtë, nuk e kemi atë. Pse nuk erdhën sot, për të gjitha këto dhe thonë direkt këtu, para se të gjithash janë kërkesat dhe nevojat e tyre. Ju si qytetarë duheni me ardhë me idetë tuaja. Asnjë OJQ nuk ka marrë pjesë sot”- tha Ugljanin.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq ka thënë se edhe pse qytetarët nga komuniteti serb nuk janë të pranishëm, ai ka komunikim të vazhdueshëm me ta.

“Fakti që ka mungesë, nuk d.m.th që nuk kemi komunikim. Para se më ardhë pata takim me qytetarët e komunitetit serb. Qytetarët kërkojnë takime. Kemi komunikim të përditshëm, punë që jena duke i realizu që i marrim në rrugë joformale. Kemi vërejtje, fotografi që ata na drejtojnë neve si ekzekutiv. Lirimi i hapësirave publike, mbylljen e kafiterive, të gjitha këto kanë ardhë prej ankesave të qytetarëve që jetojnë në ato lagje. Sot nuk mungojnë vetëm prej komunitetit serb, ka mungesë prej të gjitha komuniteteve”- përfundoi Atiq.

Në anën tjetër, drejtoresha për Financa, Buxhet dhe Zhvillim Ekonomik, në këtë komunë, Mevlyde Peci-Shala ka bërë ditur buxhetin për vitin 2025 dhe ka potencuar se komuna ka të hyra vetanake të vogla.

“Buxheti i vitit 2025 do të jetë 6,512,367 euro. Edhë këtë vit të hyrat vetanake janë të vogla, jemi në përpjekje për krijimin e zyrës për tatimin për pronë”- ka thënë Peci- Shala.