Censurimi i mediave mund të çojë në lajme të deformuara

Tentativa e Komisionit të Pavarur për Media që përmes një Kodi të ri Etik të censurojë në masë të madhe raportimin e televizioneve dhe radiove nga gjykatat po shihet si një problem i madh nga na gazetarët.

Një draft i ri i kodit të etikës që KPM tentoi ta miratojë ishte qendër e kritikave nga gazetarët dhe shoqëria civile për shkak të neneve që censurojnë në veçanti raportimin nga gjykatat.

Gazetarë, juristë dhe vetë përfaqësues të KPM-së diskutuan në emisionin “Jeta në Kosovë” draft rregulloren kontraverse që momentalisht është e pezulluar.

Leart Hoxha, gazetar dhe autor emisioni në RTV 21 tha se pamundësia e dërgimit të gazetarëve në gjykata çon në prodhimin e lajmeve të pasigurta.

“Nuk mendoj që duhet të disiplinohemi nga politika. Nëse i ndalohet një ekipi televiziv ta mbulojë një seancë gjyqësore dhe nëse redaktori përgjegjës e konsideron që është me interes publik na kemi me transmetu lajmin por nëse nuk jam në gjendje me dërgu gazetarë edhe kamerë atëherë kam me u shërby me burime edhe kam me marrë lajm të deformuar edhe të njëanshëm”, tha Hoxha.

Ai shtoi se institucionet duhet të angazhohen në shtimin e transparencës së institucioneve në vend se të censurojnë mediat.

“Institucionet shtetërore gati se po na detyrojnë me promovu lajme gjysmake ose me operu me fakte gjysmake. Shumë ma lehtë rregullohet puna e mediave me transparencë sesa me bllokada”, shtoi Hoxha.

Në këtë emision u diskutua edhe tendenca e përgjithshme e kalimit të ligjeve që kanë të bëjnë me mediat në Kosovë dhe Shqipëri dhe shqetësimin e gazetarëve për censurimin ligjor.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: