Irani u kufizon qasjen inspektorëve bërthamorë

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, tha se Irani është pajtuar t’iu zgjasë qasjen inspektorëve të Kombeve të Bashkuara në lokacionet e tij bërthamore edhe për tre muaj.

Megjithatë, marrëveshja e negociuar midis Grossit dhe zyrtarëve iranianë do t’iu japë atyre më pak qasje dhe nuk i lejon të bëjnë inspektime të parakohshme.

Irani është duke ndryshuar politikën e tij, pasi Shtetet e Bashkuara nuk ia kanë hequr sanksionet, të vendosura prejse ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

Me këtë marrëveshje, Irani është pajtuar të frenojë aktivitetin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Trump është tërhequr në vitin 2018 nga marrëveshja dhe ka rikthyer sanksionet kundër Republikës Islamike.

Irani, i cili ka nisur të pasurojë edhe uranium përtej kufijve të lejuar, thotë se nuk do t’iu kthehet kushteve të marrëveshjes, derisa SHBA-ja nuk vepron plotësisht në përputhje me të.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, insiston që Irani të veprojë i pari.

Kriza mbi programin bërthamor të Iranit është në agjendën ndërkombëtare për gati 20 vjet.

Irani thotë se programi i tij bërthamor ka vetëm për qëllime paqësore, ndërsa SHBA-ja dhe fuqitë tjera botërore dyshojnë se ai po përpiqet të zhvillojë fshehurazi armë bërthamore. REL