Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

FBI kritikohet nga këshilltari special për hetimin në rastin Trump - Rusi

Një raport i shumëpritur e ka kritikuar ashpër trajtimin e FBI-së për hetimin e saj për lidhjet e dyshuara midis Rusisë dhe fushatës së Trump në vitin 2016.

Në një raport prej 306 faqesh, këshilltari special John Durham thotë se hetimit të agjencisë i mungonte “rreptësia analitike”.

Raporti në fjalë arriti në përfundimin se FBI nuk kishte poseduar prova të marrëveshjes së fshehtë midis fushatës së Donald Trump dhe Rusisë përpara se të fillonte një hetim.

FBI ka thënë se i ka adresuar çështjet e theksuara në raport.

Në raport, John Durham, i cili u emërua nga Prokurori i Përgjithshëm i atëhershëm William Barr në vitin 2019 – e akuzoi FBI-në për veprim mbi “inteligjencën e papërpunuar, të pa analizuar dhe të pavërtetuar”.

Sipas tij, ndër gabimet hetimore që FBI i bëri ishin rastet e përsëritura të “paragjykimit të konfirmimit”, në të cilat kjo agjenci e injoroi informacionin që cenonte premisën fillestare të hetimit.

Raporti vuri në dukje dallime të rëndësishme në mënyrën se si FBI e kishte trajtuar hetimin e Trump, krahasuar me hetime të tjera potencialisht të ndjeshme, të tilla si ato që përfshijnë rivalen e tij në zgjedhjet e vitit 2016, Hillary Clinton.

Durham vuri në dukje se zonja Clinton dhe të tjerët kishin marrë “informacione mbrojtëse” nga FBI të synuara ndaj “atyre që mund të jenë objektiva të aktiviteteve të liga nga fuqitë e huaja”.

Sipas tij, Donald Trump nuk kishte marrë një informacion të tillë.

“Departamenti [i Drejtësisë] dhe FBI nuk arritën ta mbanin misionin e tyre të rëndësishëm të besnikërisë së rreptë ndaj ligjit,” përfundon raporti.

Përmes një deklarate, FBI tha se “tashmë kishte zbatuar dhjetëra veprime korrigjuese”.

“Po të ishin zbatuar ato reforma në vitin 2016, gabimet e identifikuara në raport mund të ishin parandaluar” – shtohet tutje në deklaratë.

Hetimi i FBI-së për lidhjet e dyshuara midis fushatës së Trump dhe Rusisë, i cili u krye nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller, çoi në dhjetëra akuza penale kundër stafit të fushatës Trump dhe bashkëpunëtorëve për krime, përfshirë hakerimin e kompjuterit dhe krimet financiare.

Megjithatë, raporti i lartcekur nuk zbuloi se fushata e Trump dhe Rusia kishin komplotuar së bashku për të ndikuar në zgjedhje.

Vitin e kaluar, Trump pati thënë se beson se raporti i Durhamit do të siguronte prova të aktiviteteve “vërtet të këqija, të liga, të paligjshme dhe antikushtetuese” dhe “të zbulonte korrupsionin në një nivel të paparë më parë në vendin tonë”.

Raporti i Durham-it nuk i plotëson zbulimet dhe ndjekjet penale që disa aleatë të Trump shpresonin nga hetimi.

Hetimi katërvjeçar ka rezultuar në tri ndjekje penale. Këto ndjekje penale përfshijnë një avokat të FBI-së, i cili u deklarua fajtor për ndryshimin e provave gjatë aplikimit për leje për ta përgjuar një ish-zyrtar të fushatës Trump.

Dy persona të tjerë u liruan nga akuzat se kishin gënjyer FBI-në.

Ish-presidenti përmendi disa dosje gjyqësore nga ekipi i Durham-it si pjesë e një padie që ai ngriti kundër Hilary Clinton dhe disa demokratëve të tjerë dhe zyrtarëve të qeverisë, duke pretenduar se ata kishin komplotuar për ta minuar ofertën e tij presidenciale të vitit 2016 duke përhapur thashetheme për lidhjet e fushatës së tij me Rusinë.

Një gjykatës e hodhi poshtë padinë si joserioze në janar dhe e urdhëroi ish presidentin Trump të paguante gati një milion dollarë gjobë.

Menjëherë pas lajmit se raporti do të publikohej publikisht, Kryetari i Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, Jim Jordan njoftoi se ai do të thërriste ish-avokatin amerikan për të dëshmuar para Kongresit për punën e tij./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala