Bahri Berisha nuk e komenton shkarkimin e tij nga Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka shkarkuar drejtorin e Doganës, Bahri Berisha.

Këtë vendim të Kurtit, Berisha në një prononcim për KALLXO.com nuk ka dashur që ta komentojë.

“Vendimet e Qeverisë asnjëherë nuk i kam komentu, vetëm i kam zbatu për 10 vite sa jam në Doganë. E as këtë vendim. Vetëm e zbatoj në përputhje me Ligjin”, tha shkurt ai.

Ndërkaq, sa i përket se a ka ndërmend që të aplikojë përsëri në këtë pozitë pasi që konkursi është hapur, ai tha se ‘do ta shqyrtojë’.

“Sot është hapur konkursi, ka kohë edhe 15 ditë, të shohim tash në ditët në vijim. Është çështje personale, por mbetet të shihet”, deklaroi ish-drejtori.

Kurti e ka shfuqizuar sot në mbledhjen e Qeverisë vendimin e Haradinajt në të cilën i zgjatej mandati Berishës edhe për tri vite.

Haradinaj e kishte marrë këtë vendim në kohën kur ishte kryeministër në detyrë, përkatësisht më 24 janar.

Ky shkarkim është një ndër vendimet e para të Kurtit.

Përkundër që vendimi për shkarkim ishte marrë me datën 7 shkurt, një ditë pas zgjedhjes së Qeverisë, ai është publikuar sot, më 12 shkurt.

Bahri Berisha ishte zgjedhur në bazë të një konkursi që ishte zhvilluar me asistencën e BDO-së, kompanisë së angazhuar nga Ambasada britanike për t’u ofruar asistencë institucioneve të Kosovës në rekrutimin e pozitave të larta.

Ai ishte zgjedhur në kohën kur Qeveria drejtohej nga Isa Mustafa.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka thënë se vendimi i kryeministrit Albin Kurti ishte për anulimin e vendimit të ish-kryeministrit, Ramush Haradinajt.

“Në përputhje me autorizimet e mia si Ministër në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, kam udhëzuar administratën e ministrisë që të shpallë konkursin për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës. Këtij vendimi i ka paraprirë një vendim tjetër i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i datës 7 shkurt, me të cilin është anuluar vendimi i ish kryeministrit në detyrë, i datës 24 janar, përmes të cilit i ishte vazhduar kontrata drejtorit ekzistues”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

“Këto dy vendime në asnjë rrethanë nuk e prejudikojnë performancën e drejtorit ekzistues. z. Bahri Berisha, për të cilin ruaj respekt të veçantë. Drejtorit aktual i ka skaduar mandati dhe procedurat kërkojnë hapje të konkursit, e në të cilin unë e inkurajoj fuqishëm që të aplikojë”, ka sqaruar ministri i Financave dhe Transfereve.