Avokati Valon Rrecaj

Avokati i të dyshuarit për transferin 2 milionësh: Nuk ka prova konkrete

Zyrtari i Ministrisë së Financave me inicialet L.G ka dalë sot para gjykatës në seancën për caktimin e masës së sigurisë.

Ky zyrtar është i dyshuar për një transfer rreth 2 milionë eurosh nga Thesari i Shtetit në një kompani private.

Avokati i të dyshuarit, Veton Rrecaj, pas mbarimit të seancës tha se nga Prokuroria nuk janë paraqitur prova për këto pretendime.

“Prokuroria i paraqiti arsyet apo më mirë me thanë tendencën e saj për caktimin e masës së paraburgimit, mirëpo nuk na paraqiti asnjë provë konkrete relevante e cila do ta mbështeste një pretendim të tillë”, tha ai.

Seanca e sotme ishte e mbyllur për publikun, megjithatë avokati foli për kërkesën e prokurorisë për paraburgim për të cilën tha se nuk u argumentua.

“Kërkesa ishte tërësisht e përgjithësuar, e supozuar dhe në asnjë rast nuk pat mundësi ta argumentoj. I mbrojturi im dyshohet për një transaksion mbi 2 milion euro nga vendi i tij i punës e që nuk është e saktë dhe absolutisht e bazuar”, tha ai.

Ju e keni parë ministren Bajrami e cila deklaruar se mjetet të cilat pretendon prokuroria që janë keqpërdorur janë të sigurta…

Vendimi për të dyshuarin L.G. pritet të merret sot nga Gjykata e Prishtinës.\

Dje, Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në një konferencë të jashtëzakonshme ka dhënë detaje për zhdukjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Buxhetit të Kosovës.

Bajrami tha se bëhet fjalë për 4 transaksione të dyshimta nga Thesari, me vlerë rreth 2.1 milionë eurove që kanë shkuar tek një Operator Ekonomik.

Pas hetimeve të policisë dy persona të tjerë gjenden në arrati.