Asnjë institucion privat nuk ka licencë për testimin e COVID

Ende asnjë institucion privat në Kosovë nuk ka licencë për kryerjen e analizave për praninë e virusit COVID-19.

Kjo është për e ditur për KALLXO.com nga Ministria e Shëndetësisë, të cilët përmes një përgjigjeje të shkurtë kanë thënë se institucionet me rastin e aplikimit për licencim aplikojnë edhe për licencimin e shërbimeve.

“Deri tash asnjë institucion privat nuk e ka të licencuar shërbimin për testime të COVID-19 sepse me rastin e aplikimit për licencim secili institucion paraqet edhe llojet e veprimtarive që i licencon ose aplikon për licencim të tyre”, thuhet në përgjigjen e departamentit për komunikim me publikun në Ministrinë e Shëndetësisë.

Gjithashtu në përgjigjen e tyre thuhet se asnjë institucion nuk do të licencohet derisa kjo Ministri të përfundojë planin e stategjisë për testim, në të cilin do të vendoset edhe kriteret dhe kushtet që do t’u mundësojnë institucioneve private licencimin.

Në një nga mbledhjet e Qeverisë është marrë vendimi qe licencimin e institucioneve private në përputhje me ligjin.

“Licencimi i institucioneve private shëndetësore për të kryer testime për COVID 19, në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet në vendimet e mbledhjes së Qeverisë Hoti.

Në Ligjin për Shëndetësi, veprimtaria private në sektorin e shëndetësisë nuk u lejohet veprimtaria në lëminë e epidemilogjisë (përveç dezinfektimit, dezinsektimit, dhe deratizimit parandalues), ekologjia humane, dhe mikrobiologjia e mjedisit.