Albin Kurti - Kryeministër i Republikës së Kosovës

Arsyetimi i kryeministrit Kurti për rritjen e çmimeve në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kërkuar që të injorohen kritikët e ekzekutivit të tij për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe shërbimeve të tjera ditëve të fundit në Kosovë, teksa është arsyetuar se vendi i është ekspozuar inflacionit.

Kurti në një shkrim të publikuar në Facebook ka kërkuar qetësi e durim duke shtuar se po punojnë që ditëve në vijim të ketë një pako masash që u vijnë në ndihmë qytetarëve.

“Kosova, sikurse e gjithë bota, i është ekspozuar një inflacioni që kryesisht vie si rezultat i katër faktorëve: shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë, rikthimit të konsumit global më shpejt sesa që mund të përshtatej prodhimi i cili gjatë pandemisë ishte stopuar, rritja në nivel global e çmimit të energjisë dhe spekulantët e ndryshëm që bëhen profiterë të krizave”, ka shkruar Kurti.

“Kjo, në njërën anë, synon t’ua shtrojë terrenin manipuluesve për të ngritur çmimet me pretekstin se tani jemi në një ambient ku secili çmim duhet të ngritet, pavarësisht se a ka ngritje të kostos apo jo, ndërsa, në anën tjetër, tenton të nxisë nervozë e panik te qytetarët”, ka shtuar ai.

Sipas kryeministrit, shkalla e inflacionit sipas Agjencisë së Statistikave në fund të muajit shtator ishte 4.9%, gjë që është në linjë me ngritjen globale të çmimeve për disa produkte.

“Mirëpo, ditëve të fundit jemi dëshmitarë të një fushate e cila trumbeton çdo ditë për rritje çmimesh dhe tenton të fajësojë Qeverinë për këtë”, shprehet ai.