Nagorko Karabak, Foto: Reuters

Armenia dhe Azerbejxhani i japin fund konfliktit 30-vjeçar, çfarë parasheh marrëveshja

Armenia, Azerbajxhani dhe Rusia nënshkruan një marrëveshje të martën e kaluar për t’i dhënë fund gjashtë javëve të luftimeve të ashpra në Nagorno-Karabakh, marrëveshje kjo të cilën kryeministri Armen Nikol Pashinyan, përmes një postimi emocional në llogarinë e tij në Facebook, e përshkroi si “të padëshirueshme dhe të dhimbshme”

Më 7 nëntor, ndërkohë që liderët demokratikë të botës po rreshtoheshin për të uruar Joe Biden për fitoren e tij presidenciale, presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i bëri një telefonatë homologut të tij rus, Vladimir Putin për të diskutuar disa punë shumë me rëndësi. Përderisa Amerika dhe Evropa ishin të të shpërqendruara nga zgjedhjet dhe vala e dytë e Covid-19 e cila kishte marrë hov të madh kudo në botë, Putin dhe Erdogan kishin arritur ta bënin atë që po provohej të arrihej për disa javë më radhë. Ata i kishin përafruar qëndrimet e tyre sa i përket arritjes së paqës ndërmjet dy vendeve në të cilat që të dyja, Rusia dhe Turqia, kishin sferat e ndikimit të tyre dhe përgjatë, pothuajse gjashtë javëve të fundit, kishin marrë anë dhe ishin përfshirë, të paktën jozyrtarisht, duke ndikuar në rrjedhën e ngjarjeve në terrren. 

Dy ditë, pas këtij diskutimi, konturet e hartës së re politike filluan të bëhen publike me një zgjidhje paqësore për konfliktin më të gjatë të pazgjidhur të rajonit të Nagorno-Karabakh, dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, një enklavë separatiste etnikisht e populluar me armenë mirëpo e vendosur brenda Azerbajxhanit. Në fillim të viteve 1990, Armenia, e ndihmuar nga Rusia, kishte pus htuarenklavën që e konsideroi qenësore për identitetin dhe shtetësinë e saj dhe i pushtoi shtatë rajonet ngjitur që i përkisnin shtetit të Azerbajxhanit. Konflikti ishte gjysmë i ngrirë, por asnjëherë nuk u zgjidh dhe bisedat diplomatike qysh atëherë u bënë pjesë e pandashme dhe e mërzitshme për arritjen e ndonjë marrëveshjeje megjithatë, gjithmonë dhe secilën herë pa ndonjë sukses. Regjioni i Nagorno-Karabah ishte i pranuar ndërkombëtarisht si pjesë territoriale e Azerbejxhanit  mirëpo ka qenë në udhëheqjen e Armenëve etnikë qysh nga viti 1994. 

Mirëpo,më 27 shtator, pas 25 vitesh pritje për kthimin e territorit të saj, Azerbajxhani, i ndihmuar nga Turqia, u fut në luftë, duke përmbysur humbjen e saj dhe duke rifituar pjesën më të madhe të terrenit të humbur – me miratimin e dukshëm të Rusisë. Dhe më 8 nëntor, pas gjashtë javësh luftimesh të rënda, Azerbajxhani ngriti flamurin e tij mbi qytetin Shusha – një kështjellë në majë të një kodre brenda Nagorno-Karabakh dhe një djep të kulturës Azerbajxhanase – duke provokuar gëzime spontane në rrugë. Marrëveshja e arritur erdhi në prag të ditës e flamurit kombëtar, duke shënuar një periudhë jetëshkurtër të pavarësisë së Azerbajxhanit nga vitet 1918-20.

Diç më vonë, marrëveshja e arritur u konfirmua edhe nga Azerbejxhani dhe Rusia. 

Brenda pak orësh, forcat e stërlodhura dhe të demoralizuara të Armenisë ishin detyruar të kapitullonin. Lajmi i këtij kapitullimi u bë nga Nikol Pashinyan, kryeministri i Armenisë, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook. “ 

“Të dashur bashkatdhetarë, motra dhe vëllezër. Unë personalisht kam marrë një vendim shumë të vështirë për mua dhe të gjithë ne. Unë kam nënshkruar një deklaratë për t’i dhënë fund luftës së Karabakut me presidentët rusë dhe azerbajxhanas. Teksti i deklaratës është tepër i dhimbshëm për mua dhe njerëzit tanë,” shkroi ai.

Marrëveshja e arritur thotë se Armenia do të tërhiqet nga zonat e mbetura përreth Nagorno-Karabakh. Rusia, e cila ka një marrëveshje sigurie me Armeninë, do të vendosë një forcë paqeruajtëse plotësisht të armatosur me rreth 2,000 trupa për pesë apo, ndoshta, dhjetë vitet e ardhshme. Statusi i ardhshëm i Nagorno-Karabakh nuk është përmendur fare në këtë marrëveshje. Gjatë ditëve të fundit dhjetëra mijëra armenë etnikë kanë braktisur shtëpitë e tyre në Stepanakert, kryeqytetin e Nagorno-Karabakh, ndërsa ushtria e Azerbajxhanit është afruar ndjeshëm.

Për armenët, lajmi ishte edhe më tronditës për dështimin e kryeministrit Pashinyan për të përgatitur vendin e tij për këtë dorëzim dhe për atë se ai kishte nënshkruar marrëveshjen për dorëzimin e tokës armene tek Azerbejxhani.

Jerevani, kryeqyteti i Armenisë, shpërtheu në protestë, me turmat që sulmuan parlamentin duke e quajtur kryeministrin Pashinyan një tradhtar. “Ku është Nikoli? Ku është ai tradhtari?” – ishin brohoritjet e protestuesëve në Jerevan.  

Në ndërkohë, Rusia, pothuajse menjëherë, dërgoi trupat e saja duke e vendosur një prani ushtarake të dëshiruar prej kohësh në korridorin Lachin që lidh Armeninë me Nago-Karabakun – arteria kryesore e konfliktit.

Në Armeni, liderët opozitarë bënë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Pashinyan dhe si kundërpërgjie, kryeministri armen, postoi një video-transmetim direkt përmes llogarisë së tij në Facebook duke deklaruar se ai ishte në Armeni dhe vazhdon punën e tij si kryeministër. Udhëheqësi i shtetit armen u përpoq të bindte publikun se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të ndalonte luftimet tani sepse Armenia kishte pësuar humbje të mëdha të jetës dhe territorit.

“Unë e mora këtë vendim pasi ushtria vazhdoi të insistonte për një kohë të gjatë në nevojën për të ndërmarrë një hap të tillë. Ushtria tha që është e nevojshme të ndalet lufta sepse ka probleme të caktuara dhe ata ose nuk i shohin perspektivat për t’i zgjidhur ato probleme ose burimet për zgjidhjen e tyre janë shteruar,” deklaroi kryeministri armen përmes këtij video-transmetimi direkt.

Në anën tjetër, një prezencë e forcave ruse është diçka që Ilham Aliyev, presidenti i Azerbajxhanit, e ka rezistuar prej kohësh. Pasi kishte vëzhguar nga afër përdorimin e paqeruajtësve rusë në luftën kundër Gjeorgjisë fqinje në vitin 2008, ai nuk kishte dëshirë të shihte trupat ruse në Nagoro-Karabakh. Megjithatë ai kishte pak opsione tjera. Vazhdimi i mëtejmë i luftës me Armeninë rrezikonte një konfrontim të drejtpërdrejtë me forcat ruse, të cilat kanë një marrëveshje sigurie me Armeninë. Rrëzimi i një helikopteri ushtarak rus nga forcat e Azerbajxhanit mbi territorin armen pak para se të shpallej marrëveshja e paqes i dha Rusisë një casus belli.

Ekzistojnë gjasa të mëdha që Turqia ishte motori shtytës për ta bindur Azerbajxhanin të pranojë marrëveshjen. Megjithëse nuk përmendet në marrëveshjen trepalëshe, Turqia ishte megjithatë një lojtar kyç në gjashtë javët e luftimeve dhe një përfitues i marrëveshjes së paqes. Sipas marrëveshjes së paqes, Turqisë i garantohet një korridor transporti të drejtpërdrejtë përmes territorit Armen në pjesën kryesore të Azerbajxhanit dhe detit Kaspik – duke e lidhur atë me Azinë Qendrore dhe me një rrip që shpie drejt Kinës. Marrëveshja e paqes parashikon ndërtimin e një rruge nga Azerbajxhani drejt eksklavës së Nakhchivanit (një pjesë e territorit të një shteti e rrethuar plotësisht nga territori i një tjetri), në kufi me Turqinë. Megjithëse Rusia do të kontrollojë vetë rrugën, mallrat turke dhe kineze do të kalojnë përmes kësaj rruge.

Gjykuar sipas një logjike të shendoshë, një zgjidhje ushtarake në Nagorno-Karabak ishte ndoshta gjithmonë e pashmangshme. Azerbajxhani, me një ekonomi e pasur me naftë, u bë më edhe me e pasur, më e sigurt dhe më e frustruar nga procesi i zgjatur i paqes. 

Megjithatë, ishin tre faktorë, në fund, që ndikuan në arritjen e marrëveshjes së paqes.

Njëri prej faktorëve ishte këmbëngulja në rritje e Turqisë, e cila tregoi gatishmërinë e saj për të përdorur forcë dhe për të siguruar mbështetje ushtarake në Azerbajxhan, në formën e planifikuesve dhe mercenarëve sirianë. Faktori i  dytë ishte pranimi në heshtje i Rusisë për luftën e Azerbajxhanit dhe për praninë e Turqisë. Në të kaluarën, Azerbajxhani ishte detyruar të fillonte një ofensivë të plotë nga angazhimi i sigurisë së Rusisë ndaj Armenisë. Por siç e ka llogaritur me të drejtë Azerbajxhani, ai angazhim u anulua në fakt nga revolucioni “me ngjyra” në Armeni në vitin 2018 që solli Z. Pashinyan, një udhëheqës populist, në pushtet.

Faktori i tretë ishte shkëputja graduale e Amerikës nga rajoni, i cili u bë veçanërisht i theksuar nën administratën e Donald Trump. Kjo tërhoqi kritika të forta nga Joe Biden, tani presidenti i zgjedhur i SH.B.A., i cili, kishte deklaruar se “Administrata e Trump, në mënyrë të pashpjegueshme, ka qenë kryesisht pasive dhe e paangazhuar, gjatë gjithë kësaj periudhe të fundit të përshkallëzimit të konfiktit atje”. As Trump dhe as sekretari i tij i shtetit nuk kishin vënë kontakte me Armeninë dhe Azerbajxhanin. Shtëpia e Bardhë nuk duhet të delegojë diplomaci në Moskë dhe t’i thotë Turqisë të qëndrojë jashtë konfliktit, kishte argumentuar Biden.  

Fundi i luftës ndërmjet Armenisë dhe Azerbejxhanit në Nagorno-Karabakh sugjeron një rishikim gjithëpërfshirës të hartës së sigurisë në Kaukazin Jugor, një rajon i paqëndrueshëm i vendosur midis Turqisë, Rusisë dhe Iranit. Marrëveshja e arritur ditë më parë i ka siguruar një rol të rëndësishëm në rajon një Turqie gjithnjë e më këmbëngulëse.

Roli udhëheqës i Rusisë në ndalimin e luftimeve tregon gjithashtu se Moska vazhdon të jetë lojtari më me ndikim në Kaukazin Jugor. Në anën tjetër, shumë armenë kishin shpresuar për një rol më të fuqishëm rus në luftë pasi që të dyja vendet kanë një traktat të mbrojtjes së ndërsjellë.

Marrëveshja e arritur për rajonin e Nagorno-Karabakh, rezulton me rreth 30,000 njerëz të vrarë, me qindra mijëra të tjerë të plagosur si dhe miliarda dëme materiale. Pak orë para nënshkrimit të marrëves, Azerbejxhani i kërkoi falje Moskës si dhe i ofroi kompenzim pasi e pranoi se gabimisht kishte rrezuar një helikopter rus. Dy anëtarë ekuipazhi kishin vdekur ndërkohë që një i tretë ishte lënduar.  Tri tentim armëpushime në Nagorno-Karabakh kishin dështuar në gjashtë javët e fundit të këtij konflikti. 

Çfarë është dakorduar me këtë marrëveshje? 

Marrëveshja e paqes, e cila u nënshkrua nga Presidenti rus Vladimir Putin, Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe Kryeministri i Armenisë, hyri në fuqi ditën e martë  duke filluar nga ora 01:00 sipas orës lokale.

Sipas marrëveshjes, Azerbajxhani do të mbajë zona të Nagorno-Karabakh të cilat i ka fituar gjatë konfliktit. Armenia gjithashtu ka rënë dakord të tërhiqet nga disa zona të tjera gjatë javëve të ardhshme.

Në përgjithësi, marrëveshja duhet të lexohet si një fitore për Azerbajxhanin dhe një humbje për Armeninë.

Gjatë një fjalimi në direkt përmes rrjeteve sociale, Presidenti Putin deklaroi se paqeruajtësit rusë do të vendosen për të patrulluar vijën frontale.

Ministria e Mbrojtjes ruse e ka konfirmuar se një numër prej 1,960 trupash do të përfshiheshin. Një pjesë e rolit të tyre do të jetë ruajtja e “korridorit Lachin”, i cili lidh kryeqytetin e Nagorno-Karabakh, Stepanakert, me Armeninë.

Turqia gjithashtu do të marrë pjesë në procesin e paqeruajtjes, sipas presidentit të Azerbajxhanit.

Reagimi i liderëve?

“Deklarata e nënshkruar trepalëshe do të bëhet një pikë (kruciale) në zgjidhjen e konfliktit,” ishte deklarata e Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, në një takim televiziv në internet me Presidentin rus Vladimir Putin.

Aliyev tha se marrëveshja ishte me “rëndësi historike” dhe arriti në një “kapitullim” nga Armenia.

Në anën tjetër, kryeministri i Armenisë deklaroi se vendimi i tij ishte bazuar në “analiza të thella të situatës luftarake dhe në diskutim me ekspertët më të mirë të fushës”.

“Kjo nuk është një fitore, por nuk ka humbje derisa ta konsideroni veten të mundur,” ishte deklarata e dhënë nga kryeministri armen, Pashinyan.

Agjencia ruse e lajmeve Itar-Tass citon Presidentin rus, Vladimir Putin, duke folur në lidhje me një deklaratë të përbashkët të nënshkruar me presidentin Azerbajxhanas dhe kryeministrin armen. “Republika e Azerbajxhanit dhe Republika e Armenisë do të qëndrojnë në pozicionet që mbajnë, përgjatë vijës së kontaktit në Nagorno-Karabak dhe përgjatë korridorit që lidh Nagorno-Karabakun me Republikën e Armenisë, një kontigjent paqeruajtës i Federatës Ruse po vendoset.”  

Tutje, Putin shton se “ne besojmë se marrëveshjet e arritura do të krijojnë kushtet e nevojshme për një zgjidhje afatgjatë dhe të plotë të krizës rreth Nagorno-Karabakh mbi një bazë të drejtë dhe në interes të popullit Armen dhe Azerbajxhan.”

 Lidhjet e Rusisë me të dyja palët?  

Rusia ka një bazë ushtarake në Armeni dhe të dyja vendet janë anëtare të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive të udhëhequr nga Moska.

Traktati parashikon mbështetjen ushtarake të Rusisë nëse Armenia sulmohet – por nuk përfshin rajonin e Nagorno-Karabakh ose rajonet e tjera të Azerbajxhanit përreth saj të pushtuara nga forcat armene.

Në të njëjtën kohë, Moska gjithashtu ka lidhje të forta me Azerbajxhanin, shtet ky që mbështetet hapur nga Turqia, një anëtare e NATO-s. Përgjatë viteve të këtij konflikti të ngrirë, Rusia u ka shitur armë edhe Armenisë edhe Azerbajxhanit.