Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Albin Kurti inkurajon qytetarët që të vaksinohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është personi i parë në Kosovë i vaksinuar me vaksinën e AstraZenecas nga kontingjenti prej 24 mijë dozash të sjella mbrëmë në Kosovë në kuadër të projektit COVAX.

Ai pas vaksinimit para mediave tha se nuk është këtu që të marrë privilegjin  se është vaksinuar i pari por që të inkurajojë të gjithë qytetarët e Kosovës që të vaksinohen.

“Nuk jam këtu që të marr privilegjin që të vaksinohem i pari por jam këtu që të inkurajoj të gjithë qytetarët që të vaksinohen meqënse mbrëmë ka ardhur kontingjenti i parë i vaksinave kundër virusit  COVID-19 dhe të kemi edhe vaksina të tjera dhe të përpiqemi maksimalisht që sa më shpejt, sa më shumë qytetarë të vaksinohen dhe me shembullin këtu në sallën ‘1 Tetori’ dua t’i inkurajoj ata që të vaksinohen dhe t’i heqim dilemat mbi dobinë e kësaj ndërmarrjeje”, tha Kurti.

Tutje ai potencoi se zgjidhja përfundimtare për parandalim të infeksionit është vaksina.

“Vaksinat janë të nevojshme meqenëse përballemi me një pandemi shumë të vështirë. Zgjidhja përfundimtare pa dyshim që është vaksinimi”, shtoi tutje ai.

Përveç Kurtit, sot janë vaksinuar edhe drejtoresha e Organizatës së Shëndetësisë, Isme Humolli dhe infektologu, Salih Ahmeti.

UNICEF ka ndihmuar Kosovën në sigurimin e 24 mijë dozava të vaksinës kundër COVID-19.