Albin Kurti i gatshëm të bashkëpunojë me PDK-në për ta rrëzuar Qeverinë Hoti

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se është i gatshëm që të bashkëpunojë me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për të rrëzuar Qeverinë e Avdullah Hotit, përmes mocionit të mosbesimit.

Kurti këtë deklaratë e bëri në një intervistë në KTV.

“Sigurisht për ta rrëzuar Qeverinë jemi të gatshëm të bashkëpunojmë. Ndoshta ata në tekstin e mocionit kanë kërkesa dhe jemi të gatshëm t’i dëgjojmë. Ka pasur kontakte në mes të grupeve parlamentare. Shumë mirë kishte me qenë që sa më shpejt”, tha Kurti.

Ai i tha se beson që pas qëndrimit të PDK-së kundër marrëveshjes së 4 shtatorit, është e pritshme nga ana e tij dhe e arsyeshme nga ana e PDK-së që bashkë ta rrëzojnë Qeverinë.

“Ajo që ka qenë zhgënjyese për mua për PDK-në, është se nuk po guxojnë me u distancu nga Presidenti. Këta duhet me e bo një prerje me këtë president, jo vetëm për Kosovën por edhe për partinë e tyre”, deklaroi Albin Kurti.