Agim Bahtiri aderon në VV: Jam 24 orë në dispozicion të Albin Kurtit

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i ka dhënë fund qëndrimit të tij në AKR pas gjashtë viteve dhe i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai e ka bërë këtë me, siç është raportuar, qindra zyrtarë degësh të AKR-së.

Aderimi i tij në VV u bë në shtëpinë e kulturës në Mitrovicë, në praninë e kryetarit të VV-së, Albin Kurti dhe shumë zyrtarëve të lartë të VV-së.

“As unë sjjam për herë të parë në Mitrovicë e as Agimi për herë të parë në VV”, tha Kurti në ceremoninë e aderimit të Bahtirit.

Aderimi i tij në VV u bë pak orë pasi partia e tij zgjodhi Nisma-n për koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.

Bahtiri në AKR prej vitesh mbante pozitën e nënkryetarit.

“Mitrovica nuk është një qytet i zakonshëm prandaj në Mitrovicë nuk mund të jesh një kryetar i zakonshëm. Fati i Kosovës varet e matet në Mitrovicë andaj unë besoj që jemi me fat që e kemi kryetar Agim Bahtirin kryetar në Mitrovicë”, tha Kurti duke folur për prurjen më të re në parti.

“Ndodhemi në prag të zgjedhjeve të reja ku VV marshon sigurt drejt zgjedhjeve dhe natyrisht që ardhja edhe formale e Agim Bahtirit në VV na jep fuqi. Ne së bashku ditën e zgjedhjeve do ta shndërrojmë në ditë fitoreje dhe feste, unë zotohem para jush që pas zgjedhjeve do të punoj intensivisht me kryetarin Bahtiri që të investohet në Mitrovicë dhe në Trepçë… Mungesa e investimit në Mitrovicë do të marrë fund me qeverisjen e VV-së”, tha Kurti,.

Në paraqitjen e tij të parë si anëtar i VV-së, Agim Bahtiri u shpreh i sigurt se Albin Kurti do të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës.

“Unë do të jem 24 orë në dispozicion të Albin Kurtit. Për Mitrovicën, le ta harrojnë krejt koalicionet, nuk ka kush që e mund Mitrovicën në krye me Agim Bahtirin, nuk ka shancë kush”, tha Bahtiri.