Foto: Lumir Abdixhiku, Facebook

Abdixhiku përkujton Nekibe Kelmendin: Ishte simbol i qëndresës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, e ka kujtuar sot më 19.06.2024, Nekibe Kelmendin, në 13 vjetorin e vdekjes së saj.

Abdixhiku tha se ajo “ishte grua simbol i qëndresës”.

“Ishte një grua simbol i qëndresës. Një grua që pas humbjeve të mëdha të luftës, të burrit dhe dy djemve të saj gjen forcën, kurajon dhe përkushtimin për të dhënë gjithçka për vendin dhe shndërrohet simbol për të gjithë ne. Ne mburremi që e kemi pasur pjesë të organizimit tonë politik”- ka thënë ai.

Abdixhiku ka njoftuar se sot kanë shpalosur pllakën dhe portretin përkujtimor të Nekibe Kelmendit brenda hapësirave të Selisë Qendrore në LDK.

“Portreti i saj, i vendosur tashmë përballë Enver Malokut, e në varg me të tjerë që do të pasojnë, do të shërbejnë si rikujtim i fuqishëm për secilin që kapërcen nëpër koridorin hyrës të kësaj shtëpie të demokracisë. Se vepra e madhe e lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci, është bartur nga njerëz të mëdhenj me ëndrra e përkushtime të mëdha”- ka thënë ai.

Nekibe Kelmendi ka vdekur më 19 qershor të vitit 2011, në moshën 67-vjeçare. Ajo ka qenë ministre e Drejtësisë, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së dhe ka mbajtur funksione të larta në këtë parti.

Në vitin 1999, ditën e parë pas fillimit të bombardimeve, forcat serbe ia vranë bashkëshortin – avokatin e njohur dhe aktivistin e të drejtave të njeriut, Bajram Kelmendi, si dhe të dy djemtë e saj, Kushtrim e Kastriot Kelmendin.