Foto: REL

A mund të infektohemi me COVID-19 afatgjatë pas Omicronit?

Është shumë herët për ta ditur me siguri, mirëpo shumë mjekë besojnë se është e mundur të kemi efekte afatgjata nga varianti Omicron i virusit.

COVID-i afatgjatë zakonisht diagnostikohet shumë javë pas një periudhe me COVID-19. Çdo efekt afatgjatë zakonisht shfaqet rreth 90 ditë pasi simptomat e infeksionit fillestar largohen, tha këtë javë Maria Van Kerkhove e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSh.

Në përgjithësi, disa vlerësime sugjerojnë se më shumë se një e treta e të mbijetuarve të COVID-19 do të zhvillojnë disa simptoma të COVID-19 afatgjatë. Simptomat përfshijnë lodhje, mjegullim truri, gulçim, ankth dhe probleme të tjera. Sëmundja ka më shumë gjasa të tejzgjatet nëse jeni hospitalizuar me COVID-19, por hulumtimet tregojnë se mund të ndodhë edhe pas një infeksioni të lehtë.

Omicron e filloi aventurën e tij nëpër botë në fund të vitit të kaluar. Varianti në përgjithësi shkakton sëmundje më të butë se versioni Delta i coronavirusit, por ende i ka mbingarkuar spitalet.

Van Kerkhove tha se ajo nuk ka parë ndonjë hulumtim që tregon se pjesa e të mbijetuarve të COVID-19 që diagnostifikohen me COVID-19 afatgjatë do të ndryshojë me variantin Omicron.

Dr. Linda Geng e Universitetit të Stanfordit, e cila bashkudhëheqë një nga klinikat e shumta të specializuara për COVID-in e gjatë, tha se megjithëse nuk mund të thotë me siguri, një valë e re pacientësh ka të ngjarë të ndodhë.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe shumë të përgatitur”, tha Dr. Linda Geng.

Ndërkohë, shkencëtarët po garojnë për të kuptuar se çfarë fshihet pas gjendjes misterioze. Disa teori? Mund të jetë një çrregullim autoimun. Mikro mpiksjet e vogla mund të shkaktojnë simptomat invaliduese. Ose ndoshta viruset latente në trup janë riaktivizuar.

Shkencëtarët po shikojnë gjithashtu nëse vaksinat mund të jenë pjesë e përgjigjes. Një ekip i Universitetit Yale po studion mundësinë që vaksinimi mund të zvogëlojë simptomat e gjata të COVID. Dhe dy studime të tjera ofrojnë prova të hershme që vaksinimi përpara se të infektoheni me COVID-19 mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjes së tejzgjatur ose të paktën ta zvogëlojë ashpërsinë e saj./AP