Foto: RTV 21

60% e nxënësve të Kosovës s'mendojnë se inteligjenca mund të ndryshohet

Përveç njohurive dhe shkathtësive në fushën e matematikës, shkencës dhe leximit, nxënësit 15 vjeçar të Kosovës që kanë hyrë në testin PISA 2018, u pyeten edhe për qëndrimet e tyre rreth drejtimeve që dëshirojnë të studiojnë, inteligjencës dhe kushteve të shkollave të tyre.

PISA 2018 pyeti nxënësit nëse pajtohen apo jo me deklaratën: “Inteligjenca juaj është diçka për ju që nuk mund të ndryshohet shumë”.

Përgjigjet u dhanë në një shkallë prej katër pikësh, duke filluar nga “pajtohem plotësisht ” deri “plotësisht nuk pajtohem”, dhe u kombinuan në një tregues binar nëse studenti ka një mentalitet rritjeje.

Në këto pyetje 60% e nxënësve të Kosovës kanë deklaruar se inteligjenca është diçka që nuk ndryshon shumë me kalimin e kohës.

Njësojë si nxënësit e Kosovës u përgjigjën edhe ata të Maqedonisë së Veriut, Republikës Dominikane, Indonezisë dhe Filipinet.

Ky rezultat është paraqitur në raportin e PISA-s tek volumi i tretë që bëhet për atë se cfarë nënkupton shkolla tek nxënësit.

Testi PISA 2018 në Kosovë ishte mbajtur nga 11 prilli deri më 5 maj, ku në këtë testim kanë marrë pjesë 5 mijë e 370 nxënës nga 211 shkolla nga e gjithë Kosova.

Kosova nuk ka shënuar përmirësim të madh në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA, tri vjet pas testit të parë. Madje në disa fusha ka edhe regres.

Në listën mes 79 vendeve të botës, PISA e rangon Kosovën të tretën nga fundi dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Ajo lë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.

Kosova mori pjesë për herë të dytë në këtë test në vitin 2018 ndërsa në PISA-n e vitit 2015 ishte renditur po ashtu e treta nga fundi në tabelë, atëherë në mesin e 72 shteteve.

Rezultatet e testit PISA maten me indeksin e mesatares së OECD që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.

Nxënësit kosovarë performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365.

Në anën tjetër, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378.