​Kurti vizitoi RTK-në, kërkon bashkëpunim për luftën ndaj coronavirusit

Radio Televizionin e Kosovës (RTK) sot u vizitua nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Hykmete Bajrami, atë të Financave Besnik Bislimi, të Ekonomisë, Rozeta Hajdari dhe zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.

Në komunikatën për media të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se ata janë takuar me Ngadhnjim Kastratin, drejtorin e përgjithshëm të RTK-së dhe Lorik Arifajn, i autorizuar me përgjegjësi të drejtorit të televizionit.

“Publikja është vlerë për këtë Qeveri. Në kohë të pandemive asaj i shtohet me vëmendjen edhe përgjegjësia. Prandaj, bashkëpunimi mes institucioneve qeveritare dhe transmetuesit publik duhet të bëhet për ta luftuar të vetmin armik të përbashkët që e kemi, i cili është i padukshëm, virusin Corona. Në rast se ky armik bëhet i dukshëm atëherë një hallkë diku ka dështuar”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu në këtë takim sipas njoftimit është diskutuar edhe për mbarëvajtjen e mësimit nga distanca të cilin është duke e zhvilluar Ministria e Arsimit.

“Transmetuesi publik është duke luajtur detyrë të rëndësishme me transmetimin e mësimit online, ku është vendosur orari fiks i mësimit. Nga ora 09:00 deri në ora 16:00, në RTK4, mund të ndiqet mësimi në distancë në gjuhën amtare dhe RTK2 e transmeton mësimin në gjuhën boshnjake e turke. Transmetimi i mësimeve është i rëndësishëm edhe për fëmijët tanë në diasporë të cilët do të kenë rastin t’i ndjekin ato në gjuhën amtare”, thuhet tutje në njoftim.

Vetëdijesimi i qytetarëve për të qëndruar në shtëpi është jetike për të parandaluar përhapjen e pandemisë së coronavirusit.

“Është shumë me rëndësi ta parandalojmë virusin. Kushtet jo të mira që i kemi gjetur si qeveri na e pamundësojnë të kemi luksin që të mendojmë se mund ta trajtojmë dikë ashtu siç e meriton nëpër spitalet tona. Prandaj, fushatat dhe thirrjet për të qëndruar në shtëpi, të mbajmë distancën e për të qëndruar të pastër janë jetike”, thuhet tutje në komunikatë.

Vizita e Kurtit në televizionin publik vie një ditë pasi që në këtë televizion në edicionin e lajmeve u transmetuar një storie nga Veriu i Mitrovicës për të cilën mediumi mori kritika të shumta nga opinioni publik.

Madje Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ)  në një reagim u bëri thirrje mediave në Kosovë që të përmbahen nga intensifikimi i tensioneve në kohën kur vendi po përballet me krizën shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e coronavirusit.