Shkencëtarët zbulojnë një korridor të fshehur në piramidën 4500-vjeçare

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

 

Një korridor i fshehur nëntë metra i gjatë është zbuluar pranë hyrjes kryesore të Piramidës së Madhe 4500-vjeçare të Gizës, e cila mund të rezultojë në zbulime të reja, thanë të enjten zyrtarët egjiptianë të antikiteteve.

Korridori u zbulua nga shkencëtarët e projektit Scan Pyramids, të cilët e kanë studiuar brendësinë e piramidave që nga viti 2015 duke përdorur teknologji jo-invazive, duke përfshirë termografinë infra të kuqe, simulimet 3D dhe endoskopët.

Piramida e Madhe besohet të jetë ndërtuar rreth vitit 2560 para Krishtit, gjatë mbretërimit të faraonit Keops. Është 146 metra e lartë dhe ishte ndërtesa më e lartë në botë deri në ndërtimin e Kullës Eifel në Paris në vitin 1889.

Korridori i papërfunduar ndoshta është bërë për ta rishpërndarë peshën e piramidës rreth hyrjes kryesore shtatë metra larg ose ndonjë dhomë apo zonë ende të pazbuluar, thotë Mostafa Waziri, udhëheqësi i Këshillit të Lartë të Antikiteteve, në një konferencë shtypi jashtë piramidës.

Waziri shton se shkencëtarët do të vazhdojnë skanimin për ta përcaktuar se çfarë është nën korridor ose në fund të tij.

Pesë dhomat mbi lagjet e mbretit në pjesën e dytë të piramidës besohet se janë ndërtuar gjithashtu për ta shpërndarë peshën e strukturës së madhe. Është e mundur që faraoni të kishte më shumë se një dhomë, thotë Waziri.

Shkencëtarët e konfirmuan ekzistencën e korridorit duke përdorur radar dhe ultratinguj, dhe kanë bërë fotografi me një endoskop të trashë gjashtë milimetra nga Japonia, të cilin e kanë futur përmes një nyjeje në gur.

Në vitin 2017, shkencëtarët nga projekti Scan Pyramids njoftuan se kishin zbuluar një hapësirë ​​boshe të paktën 30 metra të gjatë në Piramidën e Madhe, zbulimi i parë i tillë i madh që nga shekulli i 19-të./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala