Udhëtimi nëpër histori në Muzeun e Gjilanit

Mbi 300 eksponate janë të shtrira nëpër hapësirat e Muzeut të Gjilanit

Ato përmbajnë vlera historike, arkeologjike dhe etnologjike në lidhje me rajonin e Gjilanit.

 

 

Eksponatet që datojnë që nga periudha parahistorike deri në kohët moderne janë grumbulluar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan dhe janë dorëzuar në mënyrë vullnetare nga banorët e kësaj ane.

Pitosi i vjetër mbi 2200 vjet, i gjetur nga një banor i fshatit Bukovik të Gjilanit derisa punonte tokën në vitin 1955, i është dorëzuar komunës pas vitit 1999, për të qenë tashmë pjesë e muzeut.

“Dhe ai duke ia ditur vlerën, një njeri që nuk ka pasur shkollë që ta dijë se çka mund të jetë por sigurisht e ka ditur që është diçka shumë e rëndësishme dhe e fsheh këtë për 50 vjet me radhë. Në vitin 1999, pas fitores tonë, ai ia dorëzon komunës”, tha Gjylshane Berisha, udhëheqëse e Muzeut të Gjilanit.

Kalaja e Pogragjës konsiderohet ndër më të vjetrat në Kosovë. Në Muzeun e Gjilanit janë të ekspozuara monedhat që janë gjetur në këtë kala që i takojnë periudhës nga shekulli i dytë deri në shekullin e dhjetë.

“Përmes këtyre monedhave dëshmohet se Kalaja e Pogragjës është ndër më të vjetrat në të gjithë Kosovën. Është prej periudhës së Filipit deri te monedha e periudhës së Bizantit”, ka shpjeguar Berisha.

Qyteti i Gjilanit ka qenë i njohur për prodhimin dhe përpunimin e duhanit, kështu që muzeut nuk kishte si t’i mungonte havani, mjeti i cili është mbajtur nga fshehurazi nga qytetarët për prerjen e duhanit.

“Por ky mjet pune, ky mjet i prerjes së duhanit ka qenë nëpër shtëpi private. Gjatë periudhës së komunizmit në qoftë se ua kanë gjetur nëpër shtëpi këtë mjet pune, i kanë gjobitur, o me mjete materiale ose me burg, prandaj këtë mjet pune është dashur ta mbajnë të fshehurazi”, ka rrëfyer Berisha.

Në ambientet e Muzeut të Gjilanit janë të ekspozuara tri lloje të arkave në të cilat janë mbajtur pajat e nuses. Materiali dhe dekorimet me të cilat është punuar arka ka treguar edhe pasurinë e familjes nga e cila ka ardhur nusja.

Sipas historianëve, qytetin e Gjilanit e ka themeluar familja Gjinolli. Kjo familje qytetare dhe e pasur ka dhuruar për Muzeun e Gjilanit një kapak të arkës së nuses.

“Kështu që nga ajo familje kemi kapakun e arkës së nuses me një vlerë të jashtëzakonshme por që është vetëm kapaku për shkak se pjesa tjetër ka qenë e dëmtuar”, ka shtuar Gjylshahe Berisha.

Eksponate për Muzeun e Gjilanit janë dhuruar edhe nga mërgimtarët. Një burrë nga Gjilani, i cili jeton në Kanada, ka dhuruar një vek 100 vjeçar si dhuratë për muzeun.

“Është vek mbi 150 vjet i vjetër, e ka dorëzuar një mërgimtar, një mik i vjetër, i cili jeton në ShBA dhe para tre vitesh kur ka ardhur ia ka dorëzuar Muzeut të Gjilanit, jo vetëm vekun por edhe shumë eksponate të tjera që i ka pasur familjare”, ka rrëfyer Berisha.

Karakteristikë e veshjeve tradicionale të Gjilanit me rrethinë janë tirqit ngjyrë kafe dhe të zezë kurse për ngjarje më solemne janë veshur tirqit e bardhë.

“Këto tirqi janë të Rexhep Berishës, babës së dëshmorit Nuhi Berisha, i cili pak para se të ndërronte jetë ia bëri këtë dhuratë të mirë qytetit të Gjilanit”, tregoi ajo.

Një prej eksponateve janë edhe prangat që janë gjetur në burgun e Gjilanit e që datojnë nga periudha e Perandorisë Osmane.

Muzeu i Gjilanit krenohet me kazmën me të cilën Uta Ibrahimi ngjiti Mont Everestin, majën më të lartë në botë. Ajo e dhuroi kazmën  disa muaj pasi Ibrahimi u kthye nga ekspedita e saj në Himalaje.

“Një dhuratë e veçantë që i është bërë Muzeut të qytetit të Gjilanit është edhe nga Uta Ibrahimi e njohur si shqiptarja e parë që ka arritur majën e Himalajeve”, ka deklaruar Berisha.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, Artan Hoxha ka treguar se muzeun e kanë vizituar mbi 3 mijë persona.

“Pjesa më e madhe janë nxënës të shkollave por ka edhe qytetarë, dashamirës të muzeut, ka edhe të huaj që vijnë e vizitojnë. Edhe gjatë kohës së pandemisë kur është rihapë muzeu kemi vizitorë çdo ditë që e vizitojnë muzeun e qytetit të Gjilanit”, ka deklaruar Hoxha.

Hapja zyrtare e Muzeut të Gjilanit është bërë më 28 nëntor të vitit 2016.