Festivali i Prishtinës 'Hapi i radhës' për kulturën queer në Kosovë
Shtatori e sjell edicionin e parë të “Prishtina Queer* Festival” në sfidën e fundit ndaj stereotipizimit dhe stigmatizimit.
Pas dy festivaleve të mëdha kulturore në Kosovë – festivali i animacionit Anibar në Pejë dhe Dokufest në Prizren – i kushtuan pjesë të programit të tyre kulturës queer dhe trajtimit të homofobisë, tani është radha e kryeqytetit në shtator me Festivalin e parë në “Prishtina Queer Festival”.
Duke filluar nga e premtja, festivali treditor është i fundit që i sfidon stereotipet dhe stigmat rreth identitetit seksual dhe gjinor në Kosovë.
Festivali, i cili aspiron të bëhet një eveniment vjetor, do të përfshijë shfaqje filmash dhe dokumentarë, koncerte dhe një eveniment promovues për një tekst në gjuhën shqipe për personat transgjinorë në Kosovë para dhe pas luftës 1998-99, pjesë e librit të vitit 2022 Transgjinizmi në hapësirën post-jugosllave – jetë, aktivitete, kulturë.
Donjeta Mejtani, aktiviste e të drejtave të njeriut me seli në Kosovë dhe pjesë e OJQ-së për të drejtat e queer-it ‘Dylberizm’, një nga organizatorët e festivalit së bashku me kolektivin queer ‘Hyjneshat’, thotë se lëvizja queer në Kosovë “po ia del mirë” dhe se Prishtina është bërë një “qendër gjallërie në Ballkanin Perëndimor”.
“Megjithatë, ne menduam se hapi tjetër për lëvizjen queer do të ishte një festival në Prishtinë, për të gjithë komunitetin queer ku do të përfshiheshin artistë queer dhe përmbajtje queer”, thotë Mejtani për BIRN.
“Shpresojmë se do të rritet dhe do ta ndihmojë shoqërinë ta shohë se, duke e pranuar njëri-tjetrin, ne nuk i humbim apo rrezikojmë vlerat tradicionale, sepse urrejtja nuk na shërben dhe nuk ka vlerë në shoqëri”.
‘Pritshmëri të mëdha’
Inskenimi i një evenimenti të tillë nuk vjen pa sfida të caktuara. Edhe festivali i filmit dokumentar Dokufest, ndoshta ngjarja më e madhe kulturore vjetore në Kosovë, u përball me një protestë të organizuar nga Bashkësia Islame lokale pasi organizoi një koncert të artistes feministe kanadeze të elektro-pop-it Peaches, një ikonë kulturore e komunitetit LGBT.
Mejtani thotë se disa interpretues apo pjesëmarrës të ftuar në “Prishtina Queer Festival” hezituan të marrin pjesë.
“Ne u përballëm me homofobinë; disa persona të cilët donim t’i ftonim si interpretues ose pjesëmarrës të festivalit e refuzuan ftesën, jo domosdoshmërisht për shkak të homofobisë së tyre, por sepse e dinin se një anëtarësim në festival mund të ndikonte në imazhin dhe profesionin e tyre publik edhe nëse nuk do të ishin pjesë e komunitetit LGBT”, thotë Mejtani.
“Ka pritshmëri të mëdha, por jemi ende mjaft të lumtur që kemi qenë në gjendje ta krijojmë një program të mirë, falas për edicionin e parë”.
“Ashtu sikurse në Paradën e Krenarisë, do të ketë njerëz që do të hezitojnë të na bashkohen, por duhet ta vëmë theksin tek fakti se të gjithë janë të mirëpritur dhe jo vetëm personat queer”.
“Personat queer janë shumë kreativë dhe i kanë dhënë shumë artit dhe kulturës në mbarë botën. Arti është një nga mekanizmat më të mirë për ne, për të mbijetuar, pasi qeniet njerëzore dhe queers që jetojnë në një shoqëri të mbyllur duhet ta gjejnë brenda vetes një mënyrë për ta përballuar”.
Një nga qëllimet e Dylberizmit është “promovimi i kulturës queer dhe t’i tregojë shoqërisë se ne jemi këtu”, thotë Mejtani. “Shumë njerëz nuk e kuptojnë se mes nesh jetojnë persona queer; Për shkak të stereotipeve, personat queer mbi-seksualizohen dhe minohen”.
Prandaj OJQ-ja mori emrin Dylberizm, thotë Mejtani, nga fjala shqipe “Dylber”. Përveç përdorimit si një term zhargon për homoseksualitetin, fjala Dylber mund të gjendet në shumë vepra folklorike.
“Duke e përdorur këtë fjalë shpjegojmë se personat queer kanë qenë gjithmonë të pranishëm dhe veçanërisht në art, ata kanë shkruar edhe këngë të njohura”, thotë Mejtani për BIRN.
Ky shkrim fillimisht është publikuar në Balkan Insight
* Queer është term ombrellë për të gjithë identitetet jo-heteroseksuale.